Seminar për aftësimin e trajnerëve të volejbollit në Kosovë

Postuar: 16:09 / 21.08.2017

Pas kursit për trajnerë të boksit, sot ka nisur kursi për trajnerë të volejbollit.

Ky kurs që ka për qëllimin ngritjen e trajnerëve të volejbollit tonë, organizohet nga Federata e Volejbollit të Kosovës (FVK) si dhe përkrahet nga Solidariteti Olimpik Ndërkombëtar, Federata Ndërkombëtare e Volejbollit FIVB, Komiteti Olimpik i Kosovës, transmeton Koha.net.

Në këtë kurs, i cili do të zgjasë pesë ditë e ku po mbahet në Fakultetin e Shkencave Sportive në Prishtinë, pjesëmarrësit do të kenë mundësi të ndjekin pjesën teorike dhe praktike nga Instruktori i mirënjohur i FIVB z. Dan Girleanu.

Ligjëruesi i këtij seminari, Dan Girleanu i tha KosovaPress-it se qëllimi i këtij kursi është përmisimi i nivelit të dijës tek trajnerët. Ai thotë se është i kënaqur me pjesëmarrjen e trajnerëve në këtë seminar pesë ditorë.

“Sa po kemi filluar është dita e parë dhe jam i kënaqur me pjesëmarrjen e seminaristëve, studentëve, sidomos me moshën e tyre dhe qëllimi i këtij seminari është ta përmirësojmë nivelin e dijës në mesin e trajnerëve. Në bazë të informatave që kam mundur të marrë deri tani për shkak se kemi vetëm një seancë stërvitore apo një seanca të kursit, jam i kënaqur deri më tani, mirëpo, për të dhënë një vlerësim më të hollësishëm më nevojitet një kohë më e gjatë të punojë më trajnerë. Shpresoj se pas përfundimit të kursit të trajnerëve do të shpërndajmë këtë njohur në komunitetin e volejbollit”, ka thënë Girleanu.

Ndërkaq, Ganimete Gërbovci, trajnere e volejbollit, tha se është e kënaqur që është pjesë një seminari të tillë, që sipas saj, një seminar i tillë është i mirëseardhur për volejbollin e Kosovës, që tashmë është pjesë e volejbollit ndërkombëtar.

“Falënderojë federatën që ka organizuar këtë trajnim për ne, sepse është shumë i mirëseardhur pasi që ne veç sa jemi pranuar ndërkombëtarisht dhe kemi nevojë për t’u licencuar si trajner. Qëllimi ynë besoj se do të arrihet, ku kursi ka filluar nga fëmijët do të thotë nga mosha 7 vjeçare deri në 10, pra edhe nëpër shkolla është dhënë mundësia më u trajnuar në mënyrë që në të punojmë më fëmijë sa më shumë. Patjetër qysh kemi startuar mirë është deri tash, kështu që nuk do ta kemi problem. E kemi pjesën teorike, pjesën praktike, dhe para fillimit kemi mbajt online një kurs, kështu që gjithçka ka shkuar në rregull”, tha ajo.

Edhe Valon Nikçi, trajner i volejbollit mendon se ky seminar është pak sa më i avancuar në krahasim me seminarin e vitit të kaluar. Sipas tij, qëllimi i këtij seminari është që të mësohen hapat bazë për të punuar më fëmijë.

“Në vazhdën e seminareve të organizuar nga FIVB të përkrahura nga Solidariteti Olimpik, Komiteti Olimpike dhe Federata e Volejbollit të Kosovës, ky është seminari i dytë ndërkombëtar që organizohet në Kosovë, vitin e kaluar kishim rastin të mësojmë për njohurit për mësues të volejbollit, ndërsa ky është seminar pak sa më i avancuar dhe është niveli i parë dhe pas tij ekzistojnë edhe dy nivele për të marrë titullin trajnerit profesional. Mendoj se qëllimi është të mësohen hapat bazë që të punojmë më fëmijë, por edhe në nivel pak më i avancuar i formacioneve të ekipeve, e kështu më radhë”, ka theksuar Nikçi.

24 pjesëmarrës të këtij kursi në ditën e fundit do t’i nënshtrohen testit teorik (online), dhe testit praktik.