Sfidat dhe sukseset e Uta Ibrahimit

Postuar: 16:34 / 21.02.2018

Sportistja Uta Ibrahimi ka rrëfyer në lidhje me jetën e saj, sfidat dhe të arriturat ku ndër to veçohet ngjitja në Malin më të lartë në botë, Everest.

Sipas saj dy sfidat më të mëdha në jetën e saj kanë qenë paragjykimet se pse është vajzë dhe se ajo është e shkurtër, shkruan “Zëri.info”.

“Të gjithë më kanë paragjykuar pse jam vajzë dhe pse jam e shkurtër, mirëpo ndjekja e ëndrrave ka bërë që të jem ku jam tani”, ka thënë Ibrahimi.

Ajo ka treguar edhe për sfidat e jetës së saj dhe punët që ajo ka kryer gjatë jetës së saj përfshirë edhe modelimin e obileskut Newborn. Sipas saj, ngjitja në Everest është bërë për një kohë të shkurtër.

“Ngjitjen e Everestit shumë njerëz e shohin si pikën e fundit, mirëpo unë për një kohë të shkurtë kam arritur ta ngjes atë”, ka thënë ajo

Uta Ibrahimi ka thënë që Kosova ka shumë mundësi të mira për trajnime për shkak të natyrës së përshtatshme.

“Kosova ka shumë mundësi dhe potencial për t’u zhvilluar për shkak të natyrës së përshtatshme për trajnime”, ka shtuar ajo.

Po ashtu Uta Ibrahimi përmend edhe ngjitjet në malet tjera si ajo në Majën e Bardhë, në Malin më të lartë në Slloveni, pastaj në Everest.

“Deri në vitin 2023 po tentoj me i ngjit 14 majat më të larta të botës. Asnjë njeri në Ballkan nuk e ka bërë këtë gjë. Unë po dëshiroj me qenë femra e parë që e bën një gjë të tillë”, përfundoi ajo. /InfoKomuna/