Sporti i dytë në vend merr goditje të rëndë

Postuar: 10:06 / 22.02.2019

Karateja ka marrë hov së fundi në Kosovë e njëjtë vlerësohet se ka ndodhur me këtë sport luftarak edhe në nivel ndërkombëtar. Por karateja dhe komuniteti i këtij sporti, të enjten, kanë marrë një goditje të rëndë që pritet të ketë ndikim të madh në të ardhmen e sportit.

Karateja nuk është pjesë e sporteve që janë propozuar nga organizatori i "Paris 2024" për përfshirje në program për Lojërat Olimpike Verore, që mbahen në kryeqendrën franceze. Janë propozuar "breakdancing", sportet e ngjitjeve, skatebordingu dhe sufrimi, por jo edhe karateja, shkruan sot Koha Ditore.

Ka pasur dëshpërim te karateistët, pasi është bërë i ditur propozimi i organizatorit të Olimpiadës "Paris 2024". Organizatori i Olimpiadës tashmë e ka të drejtën të propozojë disa sporte, por vendimi përfundimtar i takon Komitetit Olimpik Ndërkombëtar.

Kështu "jeta" e karatesë në lëvizjen olimpike rrezikon të jetë shumë e shkurtër. Karateja pas shumë përpjekjeve është përfshirë në program për Lojërat Olimpike "Tokio 2020", me propozim të organizatorit, por numri i pjesëmarrësve është limituar shumë.