Të rinjtë e Kosovës të gatshëm për Norvegjinë

Postuar: 16:21 / 29.08.2017

Përzgjedhësi i përfaqësueses së Kosovës U21, Rafet Prekazi beson së skuadra e tij do të jap më të mirën në përballje me Norvegjinë.

Kosova dhe Norvegjia do të takohen këtë të premten në “Adem Jashari” të Mitrovicës, në kuadër të kualifikueseve për Evropianin 2019.

Tekniku i përfaqësueses sonë, të martën në një konferencë për media, ka thënë se të përzgjedhurit e tij do t’i eliminojnë gabimet e lëshuar në sfidën e parë në Norvegji, ku Kosova ishte mundur me rezultat të thellë prej 5-0, raporton KosovaPress.

“Norvegjia është një skuadër top, sepse luajnë gjatë bashkë. Dihet se në Evropë skuadra janë zingjirore dhe luajnë në bashkë dhe kjo është një përparësi, nuk ka diskutim se kanë kualitet, mirëpo pyetja juaj direket ju tregoi që ato gabime që i kemi bërë më këtë kundërshtar, do të mundohem që ndeshjen në Mitrovicë kundër tyre t’i përmirësojmë të paktën ato gabime që i kemi bërë atje, sidomos në anën taktike dhe mendoj se këto ditë që do të punojmë më lojtarë do t’ia dalim t’i përmirësojmë disa gabime, edhe pse ka qenë rezultat i thellë, por pikërisht ne kemi qenë ata që i kemi ndihmuar Norvegjisë të na shënojnë disa gola lehtë që në futboll nuk guxojnë të lejohen. Mendoj që këto gabime do të mundohem t’i përmirësojmë deri në maksimum dhe të mos i përsërisim ato që i kemi bërë në Norvegji”, tha Prekazi.

Ndërkohë, mbrojtësi i përfaqësueses sonë, Ardian Ismajli mendon se ndeshja e së premtes me norvegjezët do të jetë krejt ndryshe nga ndeshja e parë. Ai thotë se rezultati i lojës së parë nuk është pasqyre reale e lojës në terren. Ismajli është bindur se Kosova në duel me Norvegjinë do të dalë me rezultat pozitiv.

“Se pari jam shumë i nderuam që jam tek U21, atmosfera është jashtëzakonisht e mirë, lojtarët janë shoqëruar shumë mes veti. Krejt thonë se atje në Norvegji kemi luajtur mirë, kemi luajtur keq, por nuk është e vërteta, sepse kemi luajtur në lojë shumë të mirë, kemi pasur shumë raste, problemi ishte së morëm karton të kuq dhe aty ramë totalisht dhe erdhën golat që i pësuam, por besoj së në Mitrovicë do të jetë një ndeshje krejt ndryshe dhe besoj se do të marrim një rezultat pozitiv”, ka theksuar Ismajli.

Paraqitje të mirë në përballje me Norvegjinë pret edhe mesfushori Ylber Maloku. Ai thotë se atmosfera në taborin e përfaqësueses sonë është mjaft e mirë, dhe sipas tij, Kosova në sfidën e dytë me Norvegjinë do ta demantojë disfatën e lojës së parë. Maloku thotë se ai dhe gjithë bashkëlojtarët e tij janë të nderuar që veshin fanellën e shtetit tonë, shkruan KosovaPress.

“Atmosfera në ekip është shumë e mirë dhe jemi duke u përgatitur mjaft mirë për lojën që do ta zhvillojmë në Mitrovicë, dhe do ta demantojmë se ai rezultat nuk ka qenë real, sepse ne e nisem paraqitjen mjaft mirë, por bëmë disa gabime tona dhe dihet përvoja e lojtarëve te Norvegjisë, ku janë lojtarë shumë të mirë, por edhe ne do të mundohemi që të tregohem me profesional dhe me u ballafaquar sa më mirë më ta dhe ta demantojmë se rezultati nuk ka qenë shumë real atje dhe besoj se do të kemi një paraqitje shumë të mirë dhe se atmosfera është shumë e mirë dhe të jemi të nderuar të gjithë që bartim fanellën e Kosovës”, ka pohuar ai.

Ndërkohë, përzgjedhësi Rafet Prekazi duke folur për ndërrimet e shpeshta në përbërje, thotë se qëllimi i tij është ndërtimi i skeletit të ekipes sonë. Ai thekson se U21 janë në rrugë të mirë për krijimin e një skeletit të skuadrës dhe identitetin e lojës së përfaqësueses sonë.

“Dua të them se në U21 ka shpesh ndërrime, por qëllimi është dhe jemi në rrugë të drejt që të bëjmë një skelet dhe mendoj se jemi në rrugë të mbarë që të bëjmë një skelet të U21 që është normal që ndërkohë më u kyç edhe ndonjë lojtarë në U21, por kryesorja është të bëjmë skeletin dhe po punojmë të bëjmë një lojë që pak a shumë te identifikohet si përfaqësuese, sepse fundi i fundit futbolli luhet për fitore, por për mua kryesoja është më pas bazë, më pas skeletin e ekipes dhe te identifikohemi më një stil të lojës”, ka theksuar Prekazi.

I pari i bankinës së Kosovës, në duel me Norvegjinë nuk do të mund të llogarisë në shërbimet e Bersant Celinës, i cili është më grip dhe dyshes Broja-Hoti të cilët janë lënduar.

Visa Beka, Betim Halimi, Ardit Nika, Lirim Mema, Idriz Voca, Ardain Ismajli, Arian Kabashi, Kamer Krasniqi, Florian Loshaj, Florent Hasani, Muahrrem Jashari, Ardit Gashi, Enis Bytyqi, Leonard Pllana, Mirlind Daku, Almir Ajzeraj, Ylber Maloku, Trojan Maloku, Albert Dabiqaj, Kushtrim Shabani, Drilon Tejeci, Rron Statovci dhe Besfort Kolgeci.

Ndeshja mes Kosovës dhe Norvegjisë nis në orën 19:00.