Kryetari Haliti dhe Ministri Shala nënshkruajnë marrëveshjen për ndërtimin e palestrës sportive

VitiPostuar: 11:45 / 27.01.2017

Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti dhe Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala kanë nënshkruar sot një memorandum bashkëpunimi, me qëllim “Ndërtimin e Palestrës së Sporteve në Viti”, projekt ky në të cilin MKRS-ja do t’i investojë 1 milion e 500 mijë euro.

Ministri Kujtim Shala dhe kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, i vlerësuan lartë projektet përbashkëta ndërmjet ministrisë dhe komunës, të cilat janë të dobishme dhe në interes për gjithë qytetarët e kësaj komune.

Me këtë rast, ministri Shala u shpreh se MKRS-ja është e përkushtuar që të bashkëpunojë ngushtë me komunat e Kosovës, dhe t’i ndihmojë ato në përmirësimin e infrastrukturës në fushat që mbulon MKRS-ja.

Më tej Shala shtoi se kjo Palestër moderne, do të krijojë kushte shumë të mira dhe në përkim me standardet bashkëkohore, për zhvillimin dhe avancimin e mëtejmë të sportit në këtë vend.

Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, e falënderoi ministrin Shala për bashkëpunimin e gjertanishëm, në shumë projekte me rëndësi për Komunën e Vitisë, dhe u shpreh se ky bashkëpunim është në interes të gjithë qytetarëve të kësaj komune.

Kryetari Haliti më tej u shpreh se ky projekt është i një rëndësi të veçantë, meqë Komunës së Vitisë i ka munguar një objekt i tillë, dhe shtoi se me këtë investim kapitale, ndikohet dukshëm në përmirësimin e infrastrukturës së sportit në këtë vend, dhe gjithashtu krijohen kushte të volitshme për zhvillimin e sportit./InfoKomuna/