Nënshkruhet memorandum bashkëpunimi për mbështetjen e Klubeve futbollistike "Vitia" dhe "Vllaznia"

VitiPostuar: 13:58 / 30.08.2016

Komuna e Vitisë, konkretisht i pari i kësaj komune, Sokol Haliti ka nënshkruar sot një memorandum për mbështetje financiare me përfaqësues të klubeve futbollistike “ KF Vllaznia” Pozheran dhe KF “Vitia” Viti.

Me këtë dokument ndër tjerash parashihet përkrahja financiare e këtyre dy klubeve ku komuna e Vitisë do të ndihmoj këto dy klube futbollistike si në kryerjen e shpenzimeve për transport, ushqim për lojtarët, shpenzime administrative, pagesat e gjyqtarëve etj.

Komuna e Vitisë, konkretisht Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, Kryesuesi i Kuvendit Komunal, Naim Pira dhe Drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, Kaltrina Sylejmani dhe të tjerë kanë zhvilluar një takim të përbashkët me përfaqësues të klubeve futbollistike “ KF Vitia”- Viti dhe “ KF Vllaznia”- Pozheran.

Gjatë këtij takimi është folur për mundësitë e bashkëpunimit dhe përkrahjes së këtyre dy klubeve sportive nga komuna e Vitisë, ku më pas kryetari Haliti ka nënshkruar edhe një memorandum që parasheh edhe mbështetje financiare të klubeve në fjalë.

Pas nënshkrimit të këtij memorandumi që ndër tjerash parasheh që komuna e Vitisë, të marrë për sipër disa shpenzime si në transport, ushqim për lojtarët, shpenzime administrative, pagesat e gjyqtarëve etj, kryetari Haliti foli edhe për rëndësinë e bashkëpunimit në mes të komunës së Vitisë, dhe klubeve futbollistike “ Vitia” dhe “Vllaznia”.
“Është kënaqësi që sot kemi arritur një marrëveshje bashkëpunimi me këto dy klube që garojnë në ligën e parë. Me të vërtetë është për çdo lëvdatë bashkëpunimi i drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport dhe klubeve futbollistike “ Vitia” dhe “ Vllaznia” që me përkushtimin shumë të madh po punojnë në konsolidimin e këtyre klubeve, natyrisht ne këto kushte të cilat ne i kemi”, U shpreh Haliti.
Ai tha se në kuadër të këtij bashkëpunimi të mirë, në mes të Komunës së Vitisë dhe këtyre klubeve futbollistike ata po mundohen të mbulojmë zbrazëtirat e mundshme gjatë garave brenda kësaj sezone.

Haliti tha se Komuna e Vitisë do të jetë e përgjegjshme të kryej obligimet që dalin nga ky memorandum me qëllim që këto klube të arrijnë suksese të mëdha në nivel vendi duke ju uruar atyre suksese gjatë garave në nivel vendi.

Ndërkaq Besim Halimi, kryetari i KF “Vllaznia” Pozheran tha se me nismën e kryetarit Haliti dhe Drejtoreshës Sylejmani sot është nënshkruar ky memorandum duke bërë me dije se si përfaqësues i këtij klubi ata janë të kënaqur me përkrahjen dhe mbështetjen e tyre që po ja japin këtij klubi futbollistik.
“Me vjen shumë mirë që me iniciativën e kryetarit Haliti dhe drejtoreshës Sylejmani ne nënshkruam sot një memorandum i mirëkuptimit dhe bashkëpunimit. Po ashtu dëshiroj të ju bëjë me dije se ne jemi të kënaqur me përkrahjen që po na jep kryetari Haliti dhe drejtoresha Syljemani klubit futbollistik “ Vllaznia” –Pozheran. “ u shpreh Halimi.

Kurse Arben Jetishi, drejtor ekzekutiv i KF “ Vitia”-Viti tha se nënshkrimi i këtij memorandumi detyron këtë klub që të arrij edhe suksese më të mëdha në futboll. Ndërkaq në fund të këtij takimi, Kaltrina Sylejmani, Drejtoresh për Kulturë, Rini dhe Sport në Viti, ju uroj suksese të dy klubeve duke potencuar se dëshira e saj është që ato ti shoh në krye të tabelës gjatë garave në nivel vendi.

Memorandumi i sotëm është nënshkruar nga Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, Basri Mehmeti, kryetari i klubit fubollistik “ Vitia” si dhe Besim Halimi, Kryetar i klubit fubollistik “ Vllaznia”./InfoKomuna/