Shkrimtarët shqiptarë – të papërkrahur nga shteti, më larg lexuesit

Postuar: 10:15 / 04.03.2020

Dita e Shkrimtarëve, festë kjo që është institucionalizuar prej Kongresit Ndërkombëtar të PEN Clubit qysh prej vitit 1986, pa bujë ka kaluar për krijuesit letrarë në hapësirën shqiptare.

Vetë krijuesit janë ankuar për vështirësitë me të cilat përballen. Interesimi i vakët institucional, lexuesit e paktë dhe polarizimi politik janë përmendur si disa prej pengesave kryesore. Megjithëkëtë, hapësira shqipfolëse e letërsisë tashmë është pjesë e “PEN International” me dy qendra me të drejta të plota.

Në faqen e kësaj organizate jepen edhe të dhënat për qendrën shqiptare të PEN-it në Shqipëri dhe atë në Kosovë. Kjo e fundit, më 10 shkurt, kishte zgjedhur kryetarin dhe kryesinë e re.

Në krye të saj ishte zgjedhur shkrimtari Binak Kelmendi. Në një prononcim për “Kohën Ditore”, ai ka thënë se prioritet i tij me të ardhur në këtë detyrë është riorganizimi i Qendrës. Përveç organeve të reja udhëheqëse, sipas tij, një revistë dhe një uebfaqe janë disa nga synimet e radhës.

“Jemi duke bërë përgatitje për lansimin e webfaqes, si dhe një reviste gjashtëmujore me emrin ‘Kosova’. Në të do të paraqesin shkrimet e tyre letrare jo vetëm anëtarët e PEN-it, por edhe shkrimtarë nga mbarë Kosova e rajoni”, ka thënë Kelmendi, i cili në këtë detyrë pason drejtuesin e mëhershëm, Basri Çapriqi.

Dita Botërore e Shkrimtarëve qe caktuar nga “PEN International” me synimin që ta përçojë mesazhin se letërsia nuk ka kufij dhe roli i saj në zhvillimin e shoqërisë njerëzore është jetik. Por për letërsinë shqipe kapërcimi i kufijve është vetëm njëra prej sfidave jo të pakta.

Ndërsa ka shprehur synimin për thellimin e marrëdhënieve me PEN Qendrën e Shqipërisë, drejtuesi i ri ka shprehur gatishmërinë edhe për afrim me klubet simotra në rajon.

Kryetari i sapozgjedhur, Binak Kelmendi, ka thënë se PEN Qendra do të vazhdojë edhe më tutje ndërkombëtarizimin e saj. Tashmë, ai ka pranuar edhe një ftesë të selisë qendrore.

“Sivjet, në muajin shtator, mbahet kongresi i PEN Clubit ndërkombëtar në Upsala të Suedisë dhe atje jemi ftuar edhe ne. Do të shohim si do të ndërkombëtarizohemi si krijues”, ka shtuar Kelmendi.

Shkrimtarja nga Korça, Entela Kasi, e cila është drejtuese e PEN Qendrës së Shqipërisë, e ka vlerësuar si mundësi të mirë komunikimi faktin që të dyja shtetet shqiptare janë anëtare me të drejta të plota në “PEN International”.