Anulohet për të gjashtën herë kontrata për ujësjellësin kryesor

DragashPostuar: 16:45 / 08.01.2019

Komuna e Dragashit për të gjashtën herë ka anuluar njoftimin për dhënien e kontratës për projektin e vazhdimit të punëve në ujësjellësin kryesor. Sipas sqarimit të dhënë nga kjo komunë ky akt është nxjerrë bazuar në vendimin e Organit Shqyrtues të Prokurimit, me anë të të cilit kjo lëndë është kthyer në rivlerësim.

Në njoftimin e Komunës së Dragashit të publikuar të hënën në Sistemin Elektronik të Prokurimit shkruan se arsyeja e anulimit të njoftimit të dhënies së kontratës është: “një urdhër i lëshuar nga OSHP-ja kërkon anulimin e njoftimit për dhënie të kontratës" dhe se do të ketë “rivlerësim të aktivitetit të prokurimit”, shkruan sot Koha Ditore.

Ditë më parë, OSHP-ja ka marrë vendim që të 'anulohet njoftimi për dhënie të kontratës lidhur me aktivitetin e prokurimit 'Ujësjellësi kryesor - vazhdim i punimeve (projekt trevjeçar)... dhe lënda të kthehet në rivlerësim".

Gjykata e tenderëve ka aprovuar si pjesërisht të bazuar ankesën e operatorit ekonomik "Puna" dhe "Infra plus", që pati pretenduar se Komuna ka shkelur dispozitat e LPP-së në këtë aktivitet të prokurimit.