Haziri nënshkruan deklaratë zotimi për avancimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara

GjilanPostuar: 09:58 / 28.09.2021

Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, në cilësinë e kandidatit të LDK-së, ka nënshkruar deklaratë zotimi me Shoqatën e të Verbërve dhe Handikos, për avancimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara.

Kryetari Haziri ka shprehur vlerësim të lartë për dy menaxherët e Shoqatave, Fatmir Shurdhani e Bajram Spahiu, për punën e jashtëzakonshme që e kanë bërë në të mirë të kësaj kategorie.

Kryetari Haziri ka thënë se ndjehet krenar për mbështetjen e deritanishme që ua ka dhënë këtyre shoqatave, me të gjitha kapacitetet komunale, për t’ua bërë më të lehtë jetesën personave me aftësi të kufizuara.

Haziri tha se viti 2021, me propozim të Handikosit, është shpallur vit i mundësive të barabarta, duke shtuar se “Parku Baja” do të ndërtohet dhe emërtohet për këtë komunitet, në mënyrë që të sensibilizohen institucionet për një politikë të drejtë.

“Programi për qasje dhe mundësi të barabarta është në implementim e sipër në Gjilan. Unë e pranoj që shoqëria jonë ka bërë pak për këtë kategori, duke besuar që Zoti na ka falur të barabartë dhe mungesa e një gjymtyre zëvendësohet natyrshëm për t’u bërë të barabartë në jetë”, ka thënë kryetari Haziri.

Kurse, menaxherët e dy shoqatave, Fatmir Shurdhani e Bajram Spahiu, e kanë falënderuar kryetarin Haziri për këtë memorandum, sikurse edhe për mbështetjen e madhe për gjatë qeverisjes komunale.

Ndryshe, në këtë ngjarje ka marrë pjesë edhe bartësi i listës zgjedhore të LDK-së, Avdyl Aliu, sikurse edhe kandidatët për Asamble: Diana Toska e Valdrin Halimi.