Vrasja në Gjilan, Haziri kërkon nga organet e drejtësisë zbardhjen e rastit

GjilanPostuar: 14:57 / 09.11.2021

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka thënë se është tronditur pas ak​tit të vrasjes së një personi dhe të plagosjes së një tjetri në Gjilan, gjatë ditës së hënë.

Përmes një reagimi, Haziri ka kërkuar nga organet e drejtësisë që ta zbardhin këtë rast deri në fund.

“Jam i tronditur pas lajmit të mbrëmshëm për vrasjen e një të riu dhe plagosjen e një tjetri në Gjilan. I shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së të ndjerit, ndërsa kërkoj nga organet e drejtësisë që ky rast të zbardhet deri në fund”, ka thënë kryetari Haziri.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ka bërë të ditur të martën se me urdhër të prokurorit të shtetit është ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orëve edhe i dyshuari i pestë, me inicialet R.I., për shkak të dyshimit se ka qenë i përfshirë në vrasjen, e cila ka ndodhur më 08 Nëntor 2021, në Gjilan, në të cilën me armë zjarri është privuar nga jeta tani i ndjeri E.R.

Ndërkaq, drejtori i Ortopedisë në Klinikën e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Gani Jashanica ka bërë të ditur se gjendja e të plagosurit është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë.

“Ai është jashtë rrezikut për jetë, gjendja e përgjithshme është e mirë. Ka një plagë në regjionin e kofshës. Por diçka rrezik nuk ka, nuk ka asht të thyer”, ka deklaruar Jashanica./Telegrafi/