Gjini nis mandatin e dytë si kryetar komune: Do vazhdojmë punët e mira për Gjakovën

GjakovëPostuar: 16:45 / 06.12.2021

Kryetari i zgjedhur i Gjakovës, Ardian Gjini, dha betimin për të nisur kështu edhe zyrtarisht mandatin e dytë në krye të kësaj komune.

Së bashku me kryetarin, u betuan edhe këshilltarët e rinj komunalë, përcjell Klankosova.tv.

Në fjalimin e tij pas betimit, Gjini u zotua që do të vazhdojë punët e mira për qytetarët e Gjakovës, por për këtë kërkoi edhe bashkëpunimin e të gjitha partive të përfaqësuara në asamblenë komunale.

”Jam gati të vazhdojmë punën edhe më të mirë për komunën tonë, do të nevojitet mbështetja e secilit prej jush, nuk ka kryetar komune qe mundet t’i kryejë të gjitha punët e veta nëse nuk e ka edhe mbështetjen e njerëzve të zgjedhur të Komunës”, ka thënë Gjini.

Më tej Gjini, u shpreh se Komuna e Gjakovës për kundër sfidave ka arritur suksese të jashtëzakonshme.

”Katër vitet që i kemi lënë pas kanë qenë më sfida, sfidat të cilat i dimë ne të gjithë, të cilat i dini ju. Një prej sfidave me të mëdha ka qenë pandemia edhe sot jemi pothuajse të gjithë me maska. Mirëpo përkundër problemeve, përkundër sfidave edhe përkundër asaj që mundet me u quajt si ngatërresë në sistemin qeverisës prape se prape Komuna e Gjakovës ka shënuar suksese të jashtëzakonshme. Sukseset e Komunës njihen gjithandej dhe unë jam i bindur që do të vazhdojmë me të njëjtin ritëm”, ka thënë ai.

Gjini u konfirmua si kryetar i Gjakovës pas raundit të dytë të zgjedhjeve lokale ku përballë kishte kandidaten e Lëvizjes Vetëvendose, Mimoza Kusari-Lila.