Sulmi fizik ndaj Xhavit Drenorit, policia jep detaje

GllogocPostuar: 16:00 / 19.10.2021

Policia e Kosovës ka konfirmuar se një sulm fizik ka ndodhur mes Xhavit Drenorit, kandidatit të Iniciativës Qytetare “Green për Drenas” dhe një personi tjetër.

Zëdhënësja e Policisë, Flora Ahmeti ka thënë për Front Online se në rast kanë qenë të përfshirë dy persona. Të njëjtit kanë pranuar trajtim mjekësorë.

“Rreth orës 13:00, jemi njoftuar për një sulm fizik në rrugën “Xhevë dhe Fehmi Lladrovci” në Drenas, ku lëndime trupore kanë pësuar dy persona të përfshirë në rast. Pasi kanë marr trajtimin e nevojshëm mjekësor, në QKMF- Drenas, policia i ka shoqëruar palët e përfshira në rast dhe është nisë një hetim lidhur me rrethanat që karakterizojnë këtë rast”, ka thënë Ahmeti.

Vetë Drenori ka thënë se është sulmuar nga djali i prokurorit Ibrahim Berisha.

“Po, është e vërtetë që jam sulmuar. Jam sulmuar nga djali i prokurorit Ibrahim Berisha. Jam në stacion, s’mundem me fol më shumë”, ka thënë Drenori.

Gazeta Insajderi ka kontaktuar prokurorin Berisha, i njëjti ka thënë se nuk ka dijeni lidhur me rastin.

“Jo për zotin unë nuk jam i informuar. Ide nuk kam për këtë punë. Unë sot jam në prokurori se sot dal në pension. Unë atij djalit nuk i besoj se ai bën kështu fushatë, merret me krejt kapak”, është shprehur prokurori Berisha.