Hani i Elezit po e mban nën kontroll situatën me Covid-19

Hani i ElezitPostuar: 14:49 / 28.04.2020

Këshilli Komunal për Parandalimin e Koronavirusit në Han te Elezit ka mbajtur mbledhjen e radhës për të vlerësuar gjendjen aktuale në këtë komunë.

Në hapjen e takimit Kryetari i Komunës Rufki Suma i njoftoi anëtarët e këshillit me aktivitetet e komunës rreth zbatimit të masave të rekomanduara.

Kryetari Suma tha se fatmirësisht që nga rastet e para të konfirmuara nuk kanë pasur raste të reja të infektimit. Ai tha se testet e kryera në 9 raste të kontaktit kanë rezultuar negative gjë që u jep shpresë se situatën e kanë nën kontrollë.

"Pavarësisht rasteve të konfirmuar me COVID-19, gjendja e përgjithshme në komunën e Hanit të Elezit mundë të vlerësohet stabile".

Sipas kryetarit Suma, Komuna e Hanit të Elezit, QKMF-ja, janë në kontakt të vazhdueshëm me të prekurit dhe se gjendja e tyre është e mirë dhe pa asnjë problem shëndetësor.

"Edhe rastet e kontaktit të evidentuar janë duke e respektuar vetizolimin si dhe janë duke u monitoruar në vazhdimësi ndërsa komuna e Hanit të Elezit është duke i përkrahur dhe furnizuar me gjërat elementare të domosdoshme", tha ai.

Kryetari Suma tha se përveç familjeve të prekura me Covid-19 kjo gjendje ka goditur edhe shumë familje tjera në komunë "dhe vetëm gjatë kësaj kohe kemi shpërndarë 795 pako ushqimore, higjienike dhe miell, dhe atë jo vetëm për 130 familje të cilat i kemi të regjistruara në skemën sociale por edhe në shumë familje tjera për të cilat kemi vlerësuar se kanë nevojë për ndihmë".

Në këtë takim të Këshillit Komunal për parandalimin e koronavirusit në Han të Elezit, pos anëtarëve tjerë të Këshillit, ishin prezent edhe drejtori i Policisë Rajonale në Ferizaj, Kolonel Emin Beqiri si dhe Sevdie Mehmeti, drejtoreshë e IKSHP-së në Ferizaj.

Sevdie Mehmeti tha se komuna e Hanit të Elezit edhe pse komunë e vogël dhe kapacitete të kufizuara ka bërë punë të jashtëzakonshme në menaxhimin e kësaj situata të emergjencës shëndetësore.

Me vetë faktin se nuk kemi raste të reja dëshmon përkushtimin e komunës dhe organeve përgjegjëse që situata të mbahet nën kontroll.

Ajo përgëzoi të gjithë stafin e angazhuar duke uruar që kjo situatë të tejkalohet me sa më pak pasoja.

Edhe Drejtori i Policisë Rajonale në Ferizaj, Kolonel Emin Beqiri uroi për angazhimin e komunës së Hanit të Elezit që situata emergjence shëndetësore të mbahet nën kontroll.

Ai tha se pavarësisht rrethanave të krijuara ku Policia e Kosovës është e angazhuar me të gjitha kapacitetin e saj, fatmirësisht nga komuna e Hanit të Elezit nuk kemi pas kërkesa për shtim të personelit policorë dhe kjo vetëm falë bashkëpunimit të të gjithë përfaqësuesve të angazhuar në këtë situatë.

Ndërsa drejtoresha e DSHMS-së Medina Imishti tha se të 7 rastet e prekur me Koronavirus si dhe rastet e kontaktit tashmë e kanë kaluar fazën e rrezikut dhe jemi në kontakt me IKSHP-në që të bëhen analizat dhe të verifikohet gjendja e tyre. Ajo tha se vetëm gjatë javës së fundit në pikën kufitare dhe terminalin doganorë ka pas 1189 raste të hyrje ndërsa gjatë muajit Prill 4617 raste.

Dr.Nejazi Luma Drejtorë i QKMF-së “Dr Menduh Kaloshi” tha se menaxhimi i mirë i situatës ka mundë të realizohet vetë falë bashkëpunimit shumë të mirë ndërinstitucional në zbatimin e rekomandimeve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe IKSHP-së.

Ai tha se i QKMF-ja “Dr Menduh Kaloshi” me kapacitete tejet të kufizuar është ballafaquar me një sfidë shumë të madhe dhe vetëm falë angazhimit të tërë personelit sot mundë ta vlerësojmë situatën më pozitive. /InfoKomuna/