Suma: Pavarësisht gjendjes pozitive me Covid-19, po vazhdojmë me të gjitha masat parandaluese

Hani i ElezitPostuar: 15:17 / 12.05.2020

Nën kryesimin e Kryetarit të Komunës Rufki Suma është mbajt takimi i radhës i Këshillit Komunal për zbatimin e masave parandaluese kundër COVID-19 në Komunën e Hanit të Elezit.

Në hapje të takimit Kryetari Suma në emër të Këshillit uroi të gjithë infermierët me rastin e “12 Majit Ditës Ndërkombëtare të Infermierisë”.

Ai më tej theksoi se këtë takim po e hapim me lajme të mira nga se aktualisht në Komunën e Hanit të Elezit nuk kemi as një rast pozitiv me Korona virus dhe as një të dyshuar.

Me këtë rast Kryetari Suma falënderoi familjen e cila ishte prekur nga virusi për vetëdisiplinën dhe sakrificën që mos të infektohen banorët e tjerë.

Sipas kryetarit Suma, pavarësisht gjendjes pozitive në komunë, po vazhdohet me të gjitha masat dhe aktivitetet nga rekomandimet e IKSHP-së, në monitorimin e pikave kufitare si dhe kontaktet e vazhdueshme me institucionet përgjegjëse.

Edhe nga aspekti i përkrahjes sociale gjendja vlerësohet e mirë ku sipas kryetarit Suma vazhdojnë donacionet nga kontribuues të ndryshëm dhe shpërndarje e tyre të familjet me nevojë.

Sevdie Mehmeti Drejtoreshë e IKSHP-së në Ferizaj tha se Këshilli Komunal për zbatimin e masave parandaluese kundër COVID-19 dhe banorët e komunës së Hanit të Elezit duhet të përgëzohen për menaxhimin e mirë të situatës me të prekurit me virus.Ajo tha se falë këtij angazhimi sot jemi të gëzuar se nuk kemi raste të reja.

Mirëpo Znj.Sevdie Mehmeti apeloj që të vazhdohet edhe më tutje me zbatimin e rekomandimeve të IKSHP-së për distancim social dhe kujdes higjienik.

Drejtori i Policisë Rajonale në Ferizaj, Kolonel Emin Beqiri tha se i gëzohet faktit se në komunën e Hanit të Elezit nuk ka më raste pozitive duke uruar që edhe në mbarë vendin të ketë sa më pak raste.

Ai tha se si strukturë Policore po presim në zbatimin e fazës së dytë të rekomandimeve që fillon nga 18 Maji edhe për faktin që edhe pjestarët e Policisë së Kosovës të rikthehen në normalitetin e punës.

Ndërsa Dr. Nejazi Luma Drejtor i QKMF “Dr.Menduh Kaloshi” tha se stafi i kësaj qendre po vazhdon me aktivitetet e saja për ti mbuluar të gjitha kërkesave shëndetësore. Jemi në vazhdimësi në monitorim të pikës kufitare dhe terminalit doganorë ku vetëm gjatë muajit maj janë kontrolluar 2241 kalimtarë.

Doktor Luma tha se kanë pranuar një donacion humanitarë, pako higjienike nga UNICEF-i në kuadër të projektit përkrahje të nënave me fëmijë. /InfoKomuna/