Supremja anulon vendimin e PZAP-it, nuk ka rivotim në Han të Elezit

Hani i ElezitPostuar: 13:51 / 25.10.2021

Gjykata Supreme ka pranuar ankesën e kandidatit të PDK-së për kryetar të Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi, dhe ka hedhur poshtë vendimin e PZAP-së për rivotim në këtë komunë.

Kështu ka njoftuar Gjykata Supreme përmes një njoftimi për media.

“Kolegjet e Gjykatës Supreme, kanë vendosur lidhur me tri ankesat e pranuara ndaj vendimeve të Panelit për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), që kanë të bëjnë me parregullsitë në procesin zgjedhor për zgjedhjet lokale të mbajtura me 17 tetor 2021.

Kolegji i Gjykatës Supreme e ka aprovuar si të bazuar ankesën e kandidatit për kryetar të komunës së Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi, nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), dhe ka anuluar vendimin e PZAP-së, duke e kthyer çështjen në rivendosje”, thuhet në njoftim.

Supremja gjithashtu ka marrë vendim lidhur edhe me ankesën e Bekim Jasharit, dhe ankesën e një anëtare të Komisionit zgjedhor.

“Kolegji i Gjykatës Supreme e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e subjektit politik Lista e Pavarur Bekim Jashari, me seli në Skenderaj, e paraqitur kundër vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa Anr.673/2021, Anr.674/2021, Anr.675/2021, Anr.676/2021, Anr.678/2021, Anr.679/2021 të gjithë të datës 20.10,2021, Anr.671/2021, Anr.672/2021, dhe 680/2021. Ankesa e subjektit të njëjtë, kundër vendimit të PZAP-së, A.nr.637/2021 hidhet si e palejuar. Kolegji i Gjykatës Supreme e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Xh.S., anëtare e Komisionit zgjedhor në Vendvotimin QV2614/01D nga subjekti politik “Lëvizja Vetëvendosje”, e paraqitur kundër pikës III të vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), A.nr.630/2021, të datës 20.10.2021”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa kishte anuluar votat për kryetar të Komunës së Hanit të Elezit.

Sipas PZAP-së, zgjedhjet janë anuluar për shkak të minimit të integritetit të zgjedhjeve si rezultat i presionit dhe organizimit me qëllim të përfitimit dhe mbështetjes së votuesve.

Kandidati i PDK-së, sipas rezultateve të KQZ-së,  për zgjedhjet e 17 tetorit ka marrë me 50.98% të votave.

Rezultatet nga 100% të vendvotimeve të procesuara janë këto:

Mehmet Ballazhi (PDK) –  2.485 vota apo  50,98%

Rufki Suma – 2.070  vota apo 42,47%