Së shpejti fillon ndërtimi i urës në fshatin Breznicë

KamenicëPostuar: 11:17 / 13.08.2021

Komuna e Kamenicës në bashkëpunim me Komunën e Bujanocit, së shpejti do të nisin realizimin e projektit për ndërtimin e urës në fshatin Breznicë.

I pari i komunës, Qëndron Kastrati, tha se të dy komunat së bashku janë angazhuar për krijimin e kushteve më të mira infrastrukturore dhe sociale për qytetarët.

“Së shpejti po nisim ndërtimin e urës në Breznicë, si lehtësim për lëvizjen e qytetarëve të Luginës e Kamenicës. Pas takimeve që kemi pasur me kryetarin e Komunës së Bujanocit, z. Nagip Arifi, një bashkëpunim tjetër ndërkomunal po nis të realizohet për qytetarët tanë si dy komuna fqinje. Bashkërisht jemi angazhuar që të krijojmë kushte më të mira infrastrukturore e sociale!”, tha ai.

Kastrati më tutje tregoi se kompania mbikëqyrëse, si dhe menaxheri i kontratës kanë dal në terren për përgatitjen e fillimit të punëve.

“Menaxheri, mbikëqyrësi dhe kompania e kontraktuar për kryerjen e punëve sot gjenden në terren, që të bëhen të gjitha përgatitjet për fillimin e punëve. Urime të gjithëve!”, shtoi Kastrati./rajonipress/