LDK-ja mbështet kandidatin e PDK-së për kryetar të Klinës

KlinëPostuar: 15:44 / 11.11.2021

Dega e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Klinë dhe ajo e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) kanë konfirmuar se kanë marrëveshje koalicioni për balotazhin e 14 nëntorit në këtë komunë.

Kësisoj, kandidati i PDK-së për kryetar të Klinës, Esat Raci do të përkrahet nga strukturat e LDK-së në këtë komunë, pasi kanë arritur marrëveshje për të bashkëqeverisur në mandatin e ardhshëm katërvjeçar.

Pas PDK-së, këtë marrëveshje e kanë konfirmuar edhe Dega e LDK-së në Klinë. Fadil Gashi nga LDK-ja e Klinës ka thënë se koalicioni ndërmjet tyre dhe PDK-së është i zyrtarizuar dhe do të qeverisin së bashku. “Po ka koalicion, është zyrtare”, ka thënë Gashi.

Kandidati i AAK-së, Zenun Elezaj, në raundin e parë të zgjedhjeve kishte arritur të merrte 43.19 për qind të votave, Esat Raci i PDK-së 27.60 për qind të votave dhe Besim Hoti i LDK-së 19.41 për qind të votave.