Komunat sfidohen me përmbylljen e projekteve inevestuese brenda kohe të paraparë

Postuar: 11:34 / 24.12.2021

Investimet publike nga komunat kanë shënuar rritje nga viti në vit, por problemet që i veçojnë këto investime mbesin të njëjta dhe përsëriten në vazhdimësi.

Në këtë drejtim, një nga problemet më të mëdha është pamundësia e komunave për t’i realizuar investimet brenda kohës së paraparë.

Kështu thuhet në raportin e Institutit GAP “Sfidat e komunave në menaxhimin e investimeve, shpenzimeve, të hyrave dhe pronave”.

Sipas publikimit, në 25 projekte të audituara për kohëzgjatjen e investimeve në 12 komuna, Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka gjetur se ka projekte që kanë nisur në vitin 2013 dhe të cilat nuk kanë përfunduar deri në fund të vitit 2020.

“Projektet të cilat kanë përfunduar, në disa raste, kohëzgjatja e investimeve ka qenë e paraparë për t’u kryer brenda 100 ditëve, ndërsa kanë zgjatur 400 ditë. Asnjë projekt i audituar në sferën e investimeve publike, nuk ka përfunduar brenda afatit të paraparë me kontratë për ekzekutimin e punimeve”, thuhet në raport.

Më tej thuhet se, sfidë tjetër e cila dëmton performancën e komunave është rritja e obligimeve të papaguara dhe atyre kontingjente të komunave dhe të cilat kanë shënuar rritje nga viti në vit. Kjo rrezikon edhe qëndrueshmërinë financiare të komunave.

“Deri në fund të vitit 2020, vlera e obligimeve kontingjente që kanë komunat është 91 milionë euro, ndërsa vlera e obligimeve të papaguara është 34 milionë euro. Këto obligime, komunat i kanë ndaj operatorëve ekonomik dhe personave fizik. Këto subjekte u drejtohen gjykatave dhe përmbarusëve që t’i marrin mjetet e tyre. Gjatë viteve 2019 dhe 2020, Thesari i Kosovës, bazuar në vendimet e gjykatave dhe përmbaruesve, i ka marrë nga buxheti i komunave mbi 18 milionë euro. Gjatë këtij procesi, komunat kanë paguar shpenzime për gjykata dhe përmbarues mbi 2.1 milionë euro”, thuhet në raport. /InfoKomuna/