Kryetari i rizgjedhur i Klinës synon të qeverisë pa koalicion

KlinëPostuar: 16:00 / 17.11.2021

Pas certifikimit të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve lokale të 17 tetorit për Kuvendet Komunale, në Komunën e Klinës asnjë subjekt nuk ka arritur të sigurojë shumicën e ulëseve në Kuvendin Komunal.

Subjekt fitues në këtë Komunë ka dalë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), por megjithëse në këto zgjedhje ka siguruar gjashtë ulëse më tepër në Kuvend sesa që kishte mandatin e fundit, për krijimin e shumicës, ato nuk i mjaftojnë.

AAK-së i duhen edhe tri ulëse. Në Kuvendin e Klinës janë gjithsejtë 27 ulëse, prej të cilave në mandatin e ri, AAK-ja ka siguruar 11.

PDK-ja ka siguruar shtatë ulëse apo tri më pak sesa që i kishte mandatin e fundit, LDK-ja gjashtë ulëse, aq sa kishte në mandatin e fundit, si dhe LVV-ja tri ulëse, një më shumë se në mandatin që kaloi. Mirëpo, pavarësisht se nuk e ka shumicën e ulëseve në Kuvend, të cilat i duhen gjithsesi për miratime të buxheteve financiare dhe vendimeve tjera që sjell ekzekutivi, kryetari i rizgjedhur i Klinës, Zenun Elezaj, synon që vetë të udhëheqin më Klinën.

“Vetë kemi fituar, vetë duam të udhëheqim pa asnjë koalicion, pavarësisht se na mungojnë tri ulëse për shumicën në kuvendin Komunal dhe nuk ka lidhje pse na mungojnë. Synim e kam të qeverisim vet. Kështu kam vendos ta bëj. Nuk kemi ndonjë plan tjetër, sepse realisht vetë duam ta udhëheqim komunën në mandatin e ri, pasi vet i kemi fituar zgjedhjet”, u shpreh Elezaj për KOHËN. Në balotazh për kryetar të Klinës me 14 nëntor, AAK-ja nuk ka pasur para-koalicion apo ndonjë bashkëpunim zyrtarë me ndonjë subjekt tjetër në Klinë, në garën kundër kandidatit të PDK-së, Esat Raci, të cilin Elezaj e ka mundur në balotazh me rezultat 55.11 me 44.89 për qind të votave.

Siç pohoi Elezaj, ai mbetet i hapur nëse ndërkohë jep ndonjë shenjë për bashkëqeverisje njëra prej dy subjekteve tjera, LDK-ja dhe VV-ja.

Nga VV-ja, kjo shenjë aktualisht mungon, pasi në këtë subjekt nuk janë edhe shumë të interesuar të bashkëqeverisin sërish me AAK-në. Koordinator i grupit punues të Qendrës së LVV në Klinë, Ibër Elezaj, i cili katër vitet e fundit ka qenë drejtor i Shërbimeve Publike në Komunën e Klinës, si pjesë e koalicionit, i tha KOHËS se si degë nuk kanë ndonjë risi sa i përket çështjes së koalicionit në Klinë.

Ai tha se deri tash nuk kanë zhvilluar ndonjë bisedë brenda subjektit për këtë çështje.

“Kryetari Elezaj pasi i fitoi zgjedhjet, është në pozitë shumë më të mirë sesa që jemi ne. Kështu që mbetet kjo punë të diskutohet edhe në nivel qendror të subjektit, por për momentin nuk kemi ndonjë synim apo entuziazëm për bashkëqeverisje. Megjithëse as pesimist shumë nuk jemi, por në subjektin tonë nuk i kemi mendimet gjithë njëjtë. Dikush ka mendimet që duhet të hyhet në koalicion e dikush është kundër. Një herë jemi të përmbajtur”, u shpreh Ibër Elezaj.

KOHA nuk ka arritur të kontaktojë kandidatin e LDK-së për kryetar të Klinës në zgjedhjet e 17 tetorit, Besim Hoti, i cili ishte nënkryetar i komune në mandatin që përfundoi.

LVV-ja dhe LDK-ja kanë qenë pjesë e koalicionit të gjerë të bashkëqeverisjes në Komunën e Klinës të ish partive opozitare në Klinë (AAK, LDK, LVV dhe Nisma), të cilat para katër vitesh ishin bërë bashkë dhe rrëzuan PDK-në në krye me Sokol Bashotën. /Koha.net/

VitiKomente: 0 Mbahet mbledhja e radhës e Kuvendit Komunal të Vitisë 16:49 / 28.03.2024 Mbledhja e tretë e rregullt e Kuvendit Komunal të Vitisë është mbajtur sot, me që rast në fillim të kësaj mbledhje, kryesuesi i Kuvendit, Bekim Azizi i njoftoj anëtarët rreth vlerësimit të ligjshmërisë së akteve të miratuara në mbledhjet e kaluara të...
ShtimeKomente: 0 Kuvendi i Komunës së Shtimes mban mbledhjen e radhës 17:04 / 28.03.2024 Kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Shtimes, Adnan Ademi, ka mbajtur sot mbledhjen e tretë të rregullt të Kuvendit, ku në këtë mbledhje ka marrë pjesë edhe kryetari i Komunës, Qemajl Aliu, si dhe drejtorë të drejtorive komunale.