Mbahet tryezë për diskutimin e prioriteteve të turizmit në Komunën e Skënderajt
Drejtoria për Zhvillim Ekonomik, Ndërmarrësi, Inovacion dhe Turizëm, sot ka mbajtur një tryezë ku është diskutuar për prioritetet e turizmit në Komunën e Skenderajt.
Përveç shoqërisë civile, përfaqësuesve të organizatave joqeveritare dhe qytetarëve, Nomad Kosova, Valdete Qollaku, nga Dinarica Journey, Nazmi Hasanramaj, nga Balkan Destination, Arsim Rexhepi, kanë marrë pjesë edhe deputeti në Parlamentin e Kosovës, Mergim Lushtaku, kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit në Kosovë, Hysen Sogojeva, përfaqësues të Swissconatact dhe të tjerë.
Drejtoresha për Zhvillim Ekonomik, Ndërmarrësi, Inovacion dhe Turizëm e Komunës së Skenderajt, Besarta Meha-Ademi, shpalosi planet e drejtorisë që udhëheq, duke theksuar se Komuna e Skenderajt mbetet e hapur për ide dhe aktivitete në funksion të zhvillimit të turizmit.
Skenderaj ka numrin më të madh të turistëve për shkak të historisë së lavdishme që bart ky vend, por njëkohësisht ka edhe potencialin për t’u bërë vend atraksion për turistët.
Kjo u tha nga të pranishmit të cilët shprehen gatishmërinë për të përkrahur komunën, gjegjësisht Drejtorinë për Zhvillim Ekonomik Ndërmarrësi Inovacion dhe Turizëm.