Agolli: LDK nuk ishte në ditët më të mira, por bashkë e trefishuam dhe do të vazhdojmë ta ngrisim

MitrovicëPostuar: 10:21 / 19.10.2021

Kandidati për kryetar të Mitrovicës nga LDK, Armend Agolli përmes një postimi ka pasqyruar rezultatin dhe gjithë rrjedhën e zgjedhjeve në Mitrovicë.

Doktor Agolli ka shkruar se në momentin kur kishte vendosur ta pranojë ofertën për kandidaturë, subjekti politik i LDK-së nuk ka qenë në ditët më të mira, pas rezultatit në nivel nacional dhe fraksioneve brenda degës në Mitrovicë, shkruan Jepi zë.

Ai ka premtuar se do të vazhdojë të punojë që LDK ta ngris sërish bashkë me kryesinë dhe anëtarët e këtij subjekti.

Postimi i plotë:

Zgjedhjet lokale në Mitrovicë, sikurse edhe gjithandej Kosovës, erdhën pas një momentumi politik të krijuar në fillim të vitit, kur në Kosovë kishte ndodhur një përmbysje e madhe politike nga e cila LDK-ja doli partia më e lënduar, duke prekur edhe vet kufijtë e saj ekzistencial.

Kjo frymë sigurisht se kishte bërë që në shumë komuna të ketë hezitim të njerëzve për t’i dalë në ballë sfidës së zgjedhjeve lokale.

Mitrovica, për shumë arsye, ishte në gjendje të vështirë, meqenëse konfiguracioni politik këtu ishte i komplikuar. Nga ana tjetër, vullneti për ndryshim ishte shumë i dukshëm, meqë njerëzit ishin lodhur nga qeverisja tetëvjeçare, e cila nuk kishte shënuar asnjë progres shoqëror, në asnjë sferë jete.

Mirëpo, LDK-ja në Mitrovicë nuk ishte në ditët e saj më të mira - jo për fajin e saj, sa për fajin e shumë fraksioneve që përgjatë viteve kishin punuar që atë ta lëndonin fort, por edhe për shkak të neglizhencës që kryesia qendrore e LDK-së kishte treguar ndër vite ndaj kësaj dege.

I gjendur përballë ofertës së LDK-së për të kandiduar për të parin e Komunës, e kisha parasysh sa e vështirë do të ishte kjo përpjekje. Por vullneti për ta ndihmuar Mitrovicën më bindi. Vendosa që të kandidoja.

Bashkë me strukturën e LDK-së në Mitrovicë, të udhëhequr nga Kryetari i Degës, z. Safet Kamberi,  - të cilët i falënderoj pafundësisht për angazhimin e palodhshëm dhe korrektësinë - zhvilluam një fushatë të mrekullueshme, marrë parasysh kushtet që i kishim.

Të gjendur përballë dy taboreve politike në Mitrovicë të cilët po bënin një fushatë të shtrenjtë, fushata jonë ishte modeste meqenëse mbështetja financiare nga partia për ne ishte shumë e vogël. Megjithatë ne nuk u ndalëm, vazhduam e u munduam fortë.

Sido që të jetë, me aq sa u pa, vullneti i mitrovicasve për ndryshim doli se u drejtua më shumë kah Bedri Hamza, se sa nga unë dhe nga LDK. Kjo ndodhi edhe për shkak se të gjitha mediat kombëtare, por edhe analistët  nga studiot e ndryshme televizive, ditë e natë prezantonin sondazhe fiktive përmes të cilave qytetarin e Mitrovicës e orientonin se kend duhet votuar.

Një diskurs i tillë - me qëllim ose pa të - ku unë pothuajse nuk përmendesha fare si opsion real për udhëheqjrn e Mitrovicës krijoi njëlloj përshtypje në opinion se gara në Mitrovicë po zhvillohej vetëm në dy fronte, e jo në tre, siç ishte realisht. Unë pata një ekip perfekt, një program të shkëlqyeshëm dhe një vullnet tejet të madh për t'i ndryshuar gjërat rrënjësisht në Mitrovicë. Mirëpo, duket se ky diskurs i krijuar publik ndikoi në atë që krejt këto të mos mjaftonin. Dhe, e tëra përfundoi ashtu si përfundoi.

Përkundër gjithë kësaj, fuqia e Degës së LDK-së në Mitrovicë është trefishuar dhe shumë anëtarë i janë rikthyer shtëpisë së tyre të vjetër.
Kjo më bën krenar.

Ndryshe, mendimi im është se Mitrovica është komuna me rëndësinë më të madhe politike në Kosovë. Kjo, për arsye se pozicioni i saj gjeografik dhe politik e bëjnë atë vatër me shumë zhvillime, shpesh të paparashikueshme politike. Rrjedhimisht, konsideroj se të gjitha partitë, përshirë edhe LDK-në, duhet ta kenë një përqëndrim shumë më të madh karshi zhvillimit të saj.

Në fund, dua ta potencoj edhe atë se, bashkë me Safetin dhe me shumë vajza e djem do të vazhdojmë me konsolidimin dhe fuqizimin e mëtutjeshëm të Degës së LDK-së, shkaku i së ardhmes së Mitrovicës.

Sepse, që nga dje LDK-ja këtu nuk është më veç një aktor, por një faktor i rëndësishëm politik.

PejëKomente: 0 Mbahet takimi i rregullt i Kuvendit Komunal të Pejës 12:20 / 28.03.2024 Kuvendi Komunal në Pejë, mbajti sot takimin e radhës të rregullt, kryesuar nga Rexhep Kurtbogaj, ku morën pjesë kryetari Gazmend Muhaxheri, Nënkryetarët, Drejtorët, mediat dhe qytetarët të interesuar, ku është debatuar për disa pika të rendit të ditës.
SkënderajKomente: 0 Kuvendi Komunal i Skenderajt, ka mbajtur sot mbledhjen e rregullt 17:38 / 28.03.2024 Kuvendi Komunal i Skenderajt, ka mbajtur sot mbledhjen e rregullt, seancë kjo e udhëhequr nga kryesuesja Adelina Spahiu, e në të cilën kanë marrë pjesë kryetari i Komunës, Fadil Nura, drejtorët komunalë, anëtarët e Kuvendit dhe monitorues nga KFOR-i dhe OSBE.