Një ditë pas zgjedhjeve lokale, qytetarët flasin për rezultatin e zgjedhjeve

Postuar: 16:37 / 18.10.2021

Gjatë ditës së djeshme qytetarët e Kosovës kanë votuar për të parin e komunës së tyre, që njëkohësisht do të jetë edhe udhëheqësi i qytetit të tyre për katër vitet e ardhshme.

E një ditë pas ata thonë se ky rezultat i zgjedhjeve ishte i pritshëm për ta, por kishte edhe nga ata që ishin të dëshpëruar me këtë rezultat.

“Rezultati ka qenë edhe i pritshëm, tash po shihet që nuk kanë qenë njerëzit e duhur në vendin e  duhur, përzgjedhja ka qenë katastrofale”, thotë Shaban Jakupi.

E disa të tjerë që kishin ardhur nga diaspora vetëm për të votuar në Kosovë, u shprehën të zhgënjyer me rezultatin.

“ Me keqardhje them që ma keq s’ka ku te shkojë hiç edhe një herë populli im i dashur, ia nguli një thikë pas shpine vetes. Ne vijmë me gëzim në tokën tonë në vendlindjen time, por jemi të dëshpëruar shumë të dëshpëruar”, u shpreh Shefqet Jashanica.

Kurse Afrim Ismajli,  thotë se qytetarët nuk duhet të ankohen sepse sipas tij ata 4 vjet ankohen dhe prapë i votojnë po ata njerëz të cilët i kritikojnë.

“Procesi ka shkuar shumë në rregull, e kjo dëshmon një kulturë të lartë të votimit në Kosovë, ndërsa qytetarët nuk kanë të drejtë më të ankohen, sepse i kanë zgjedhur vetë edhe në fakt  është pak befasi që para zgjedhjeve i kritikojnë, tani prap i votojnë të njëjtit njerëz”, tha ai.

Po ashtu, vlenë të theksohet që procesi votimit në Kosovë sipas policisë ishte i rregullt në përgjithësi, duke përjashtuar disa parregullsi të vogla.