Kurti: Do të kryhet rruga Prishtinë – Podujevë vitin tjetër dhe do të nis ndërtimi i Spitalit

PodujevëPostuar: 14:58 / 10.11.2021

Kryeministri i Kosovës, njëherësh edhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka marshuar sot në sheshin e qytetit të Podujevës me kandidatin e kësaj partie, Shpejtim Bulliqin.

Në një prononcim për medie, i pari i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti ka thënë se vitin tjetër do të kryhen punimet e rrugës nacionale Prishtinë – Podujevë dhe ndërtimi i Spitalit të Përgjithshëm.

“Sot kam ardhur në trevën e Llapit që ta mbështesë kryetarin aktual dhe kryetarin e ardhshëm të Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqin. Me profesor Bulliqin ka shumë vjet që njihemi, e ka besimin tim të plotë dhe kjo do të bëhet përkrahje pa rezervë dhe pakursyer e imja. Në katër vjetët e ardhshme, me Shpejtim Bulliqin do të bëjmë shumë punë  të mbara dhe të mira për Podujevën. Këtu në veçanti duhet theksuar, përfundimi i rrugës vitin e ardhshëm që lidh Llapin me kryeqytetin dhe Spitalin e Podujevës që do ta fillojmë”, ka thënë kryeministri Kurti.

Kurti ka thënë se në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës është miratuar buxheti më i madh ndonjëherë për bujqësinë.

“Po ashtu investimet dhe mbështetja në bujqësi. Unë këtu po vij menjëherë pas mbledhjes së Qeverisë, ku miratuam projektligjin për bujqësi dhe zhvillim rural. Me buxhetin për vitin 2022 do t’i kemi 70 milionë euro për bujqësi, me ç’rast këtu nuk përfshihen 10 milionë të fondeve, të cilat do ta nënshkruajmë me Bashkimin Evropian, e që u dedikohen rehabilitimit  për sistemin e ujitjes. Po ashtu 20 milionë tjera nga Programi i Bankës Botërore për bujqësi globale dhe siguri të ushqimit, të cilat i dedikohen si fermerëve të hortikulturës, ashtu edhe lidhjes-bashkimit të fermerëve në organizata dhe shoqata".

"Pra, gjithsej mbi 100 milionë euro për bujqësi, pasi ne dëshirojmë që toka jonë të punohet dhe duam që bujqit tanë të kenë treg në vendin tonë dhe të ekspertojnë më shumë. Në funksion të kësaj do të jenë edhe rezervat  shtetërore, së paku 10 milionë euro, të cilat në njërën anë e garantojnë tregun për bujqit tanë, ata që ngelin pa i shitur prodhimet e veta i bëjnë rezerva shtetërore, e në anën tjetër e imunizojnë ekonominë tonë nga ndryshimi i çmimeve dhe bursat ndërkombëtare”, ka thënë Kurti.

“Prandaj, për të vazhduar me këtë rritje, për të vazhduar kundër korrupsionit e me drejtësi, për të vazhduar me zhvillim, na duhet të vazhdojmë me Shpejtim Bulliqin në Podujevë”, është shprehur kreu i ekzekutivit.