VV, LDK e NISMA e synojnë Podujevën pa balotazh, PDK e AAK vendimin ia lënë qytetarëve

PodujevëPostuar: 11:41 / 07.10.2021

Zgjedhjet lokale që do të mbahen me 17 tetor, pritet që të sjellin një garë interesante në qytetin e Podujevës.

Lëvizja Vetëvendosje garon me kryetarin aktual të kësaj komune, Shpejtim Bulliqin. Lidhja Demokratike e Kosovës synon që Podujevën ta rikthej me Ekrem Hysenin. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës garon me kandidatin, Besnik Tahiri. Partia Demokratike e Kosovës garës për Podujevën i ka hyrë me Floretë Zejnullahu, e cila është njëra nga kandidatet e pakta gra në tërë Kosovën dhe NISMA Socialdemokrate qeverisjen në Podujevë synon ta marr me Xhemajl Mustafën.

Në një intervistë për Klankosova.tv, kandidatët që janë në këtë garë shohin fitore pa balotazh, ndërsa fushatën zgjedhore thonë se po e bëjnë në sinkron me rregullat e qeverisë kundër pandemisë COVID-19.

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për ta rimarrë timonin e kësaj komune, Shpejtim Bulliqi, për Klankosova.tv tha se gjatë kohës sa ai ka qenë në krye të komunës, ka kryer punën brenda hapësirave që ia ka dhënë buxheti që sipas tij ka qenë i planifikuar.

“Përveç projekteve që kanë qenë të planifikuara deri tash kemi bërë edhe projekte të tjera. Prandaj mendojmë se përveç atyre që kanë qenë të planifikuara, ne kemi bërë edhe projekte që s’kanë qenë fare në plan, e po ua numëroj disa: Rregullimi i çerdhes së dytë që po bëhet pas 20 viteve. Kursimi i mbi 320 mijë euro të cilat do të shfrytëzohen në asfaltimin e disa rrugicave të reja dhe disa parqe e parkingje”, është shprehur Bulliqi, njofton Klankosova.tv.

Bulliqi thotë se garën e Podujevës do ta fitojnë edhe një herë pa balotazh, ndërsa kandidatët e tjerë nuk i sheh serioz.

“Ne zgjedhjet i fitojmë pa balotazh. Kundërkandidatë i kemi pese a gjashtë por asnjë serioz”, ka thënë Bulliqi.

Kurse, kundërkandidati i Bulliqit nga ish partia e tij, Ekrem Hyseni i LDK-së thotë se kjo parti do ta rikthejë Podujevën dhe se fitorja sipas tij është e pashmangshme.

“Me ekipin e ri, vizionin e ri, fitorja ka me qenë e pashmangshme. Pres një garë fer, ashtu sic na ka hije dhe jam i sigurt se fitorja do të jetë e jona”, është shprehur Hyseni për Klankosova.tv.

Hyseni thotë se është i sigurt që në Podujevë nuk do të ketë balotazh, pasi atje do të fitoj LDK-ja, teksa tha se fushata po i respekton të gjitha masat anti-COVID.

“Unë jam relativisht i sigurt që LDK-ja në këto zgjedhje do të dal fitues pa balotazh. Fushata po i respekton të gjitha masat anti-COVID, pra nuk është një fushatë e zakonshme por po bëhet një fushatë duke i pasur parasysh rekomandimet e IKSHPK-së”, ka thënë Hyseni.

Sa i përket bashkëpunimit me VV-në, Hyseni thotë se si opozitë kjo parti duhet të bashkëpunojë e të ketë qasje konstruktive.

“Ne jemi aty me programin tonë për të mirën e qytetarit. Do të funksionojmë me vizionin tonë. Si opozitë VV-ja duhet të bashkëpunoj dhe të ketë qasje konstruktive”, është shprehur Hyseni, njofton Klankosova.tv.

Ndërsa, e vetmja kandidate grua në garën politike në Podujevë, Floretë Zejnullahu, thotë se garës i ka hyrë pas besimit të qytetarëve.

“Angazhimin tim politik e kam filluar së pari si anëtare e Rinisë Demokratike të Kosovës. Me pas kam qenë asmableiste në Komunën e Podujevës. Falë besimit të qytetarëve për dy mandate kam arritur të zgjidhem deputete në Kuvendin e Kosovës. Besimi i qytetarëve i shprehur në votë më ka shtyrë të jem pjesë e garës për ta udhëhequr Podujevën. Përkrahja e madhe që po marr çdo ditë nga takimet e shumta që kam me qytetarët më bën të kuptoj që fitorja është e jona”, është shprehur Zejnullahu, njofton Klankosova.tv.

Sa i përket mundësisë së balotazhit, Zejnullahu thotë se për këtë vendosin qytetarët me votë dhe se do ta respektoj vendimin e tyre.

“Për rezultatin e zgjedhjeve vendosin qytetarët me votë, une nuk mund dhe nuk do të paragjykoj vendimin e qytetarëve. Unë do të respektoj votën dhe vendimin e qytetarëve”, ka thënë ajo për Klankosova.tv.

Sa i përket mundësisë së bashkëpunimit mes PDK-së dhe partive tjera, Zejnullahu thotë se për këtë vendosin strukturat e kësaj partie.

“Për këtë çështje vendosin strukturat e partisë në nivel qendror, Kryesia e Partisë dhe Kryetari, normalisht në bashkëpunim me nivelin lokal”, është shprehur Zejnullahu.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në Podujevë garon me Besnik Tahirin për kreun e komunës, ku në prononcim për Klankosova.tv, ai tha se pas 20 vitesh me Llapin duhet të udhëheq ai dhe se pushtetin do ta ndajë me të gjitha partitë që kanë përfaqësues në asamble, kurse AAK-ja do të udhëheq vetëm me tri drejtori.

“Është momenti më i duhur që pas 20 viteve me Llapin të udhëheq Besnik Tahiri. Si kryetar i komunës do të ofroj bashkëqeverisje me të gjitha partitë politike të përfaqësuara në asamble dhe do t’i ndali vetëm tri drejtori”, ka thënë Tahiri për Klankosova.tv.

Tahiri, qeverisjen e Bulliqit nuk e sheh si ndryshim, pasi që sipas tij në Podujevë nuk ka ndryshuar koncepti por vetëm partitë politike.

Përkundër Bulliqit e Hysenit, Tahiri balotazhin e sheh si normal, por thotë se ai do të jetë fituesi.

“Normal që ka balotazh, por unë jam fituesi. Ndryshimi i madh nuk përfaqësohet nga Ekrem Hyseni e Shpejtim Bulliqi për arsye sepse nuk kam parë program dhe ndryshimi nuk ndodhë me takime të ngushta”, është shprehur Tahiri, njofton Klankosova.tv.

Kurse, kandidati i NISMA-s Socialdemokrate për kryetar të Podujevës, Xhemajl Hasani, thotë se është koha që kjo parti të vijë në krye të komunës së Podujevës.

“Pas një angazhimi 7-vjeçar të NISMA-s në Podujevë, dhe duke identifikuar të gjitha problemet që hasin qytetarët e Podujevës dhe duke analizuar me kujdes me të gjitha potencialet që ofron vendi ynë, ne jemi të gatshëm që t’i menaxhojmë dhe ti zgjidhim shumë probleme. Mendoj që është koha e NISMA-s që të vije në krye të komunës”, është shprehur ai, njofton Klankosova.tv.

Hasani, kundërkandidatët e tij i cilëson si të përgatitur, por konkurrencë nuk sheh, ndërsa për balotazh, ai thotë se fitorën do ta arrijë pa të.

“Të gjithë kandidatët janë të mirë, të përgatitur dhe për të gjithë kam respekt. Por, nuk shoh konkurrencë. Çfarë balotazhi? Unë do të fitoj pa balotazh”, ka thënë Hasani.

Ndërsa, sa i përket bashkëpunimit, ai thotë se këtë do ta bëjë në asamble, nëse ka nevojë.

“Aty ku kemi afrime programore padyshim se po ama në këtë garë kam hy për fitore. Në asamble nëse ka nevojë sigurt se po”, është shprehur Hasani, njofton Klankosova.tv.