Zyrtarët publikë në Rahovec s'do të lejohen të punojnë pa vaksinim kundër Covid-19

RahovecPostuar: 14:09 / 08.09.2021

Pas situatës së krijuar me rritjen e lartë të rasteve të të vdekurve dhe të infektuarve me Covid-19, Komuna e Rahovecit ka marrë vendim për punonjësit e institucioneve publike.

Komuna e Rahovecit njofton të gjithë punonjësit e institucioneve publike siç janë: shërbyesit civil, zyrtarët publik, mjekët, infermierët, mësimdhënësit, zjarrfikësit, punëtorët teknik, etj si dhe personeli i ndërmarrjeve publike në komunën e Rahovecit, se nga data 13 shtator 2021, duhet të posedojnë njërën nga dëshmitë si më poshtë, në mënyrë që t’ju lejohet hyrja në ambientet e punës:

1.Certifikatën e vaksinimit për vaksinimin e plotë ose marrjen e një doze të vaksinës kundër COVID-19;
2.Testi RT-PCR negativ për COVID-19, jo më i vjetër se 72 orë;
3.Dëshmi se personi ka kaluar COVID-19 (test RT-PCR pozitiv i lëshuar jo më pak se 21 ditë dhe jo më shumë se 180 ditë ose rezultati pozitiv i testit të antitrupave Serologjik – IgG, i lëshuar më së shumti para 30 ditëve;
4.Testi i shpejtë antigjen negativ, jo më i vjetër se 48 orë.

Punonjësit e lartpërmendur nga data 13 shtator 2021 nuk do të mund të hyjnë në vendin e punës nëse nuk posedojnë njërën nga dëshmitë e shënuara më lartë.

Kjo masë parandaluese merret duke marrë parasysh shtimin e numrit të rasteve pozitive dhe numrit të madh të rasteve të vdekjeve me COVID-19 në Republikën e Kosovës, ku nga këto raste nuk është anashkaluar as komuna e Rahovecit.

Andaj, me këtë rast u bëj thirrje të gjithë punonjësve të institucioneve publike dhe ndërmarrjeve publike në komunën e Rahovecit që të bëjnë vaksinimin e tyre me qëllim të ruajtjes së shëndetit të tyre dhe të nëpunësve të tjerë.