Inspektorët e Shtimes ankohen për diskriminim pas vendimit të fundit të Qeverisë së Kosovës

ShtimePostuar: 13:43 / 25.12.2020

Inspektorati i Komunës së Shtimes ka reaguar ashpër pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për t’i stimuluar me nga 100 euro zyrtarët policorë dhe disa vendime të tjera.

Zyrtarët e Inspektoratit në këtë komunë po ndihen të diskriminuar me arsyetimin se gjatë muajit tetor, nëntor dhe dhjetorë, kanë qenë të rrezikuar mjaft shumë nga pandemia Covid-19, derisa kanë marrë pjesë nëpër ceremonitë e varrimeve të personave me Covid-19, pastaj kanë bërë qindra inspektime nëpër biznese të gastronomisë, në ordinanca shëndetësore dhe në aktivitete të ndryshme.

Sherif Sherifi, inspektor sanitar në Shtime, ka thënë për KOHË-n se Qeveria e Kosovës ka diskriminuar inspektorët nëpër komuna me vendimet e fundit.

“Diskriminimi nuk paska fund, si është e mundur që qeveria ka marr vendim për Policinë e Kosovës t’i stimulojë me pagesë me nga 100 euro për 3 muajt e fundit për rrezikshmëri nga pandemia, ndërkaq inspektorët nëpër komuna i ka diskriminuar. Inspektorët kemi qenë të rrezikuar si asnjëherë më parë duke marrë pjesë në inspektime të ndryshme nëpër biznese të gastronomisë, në varrime te personave të vdekur me Covid-19, në objekte shëndetësore, spitale etj”, ka thënë Sherifi.

Ai ka shtuar se Qeveria e Kosovës është dashur të mendojë edhe për inspektorët të cilët gjatë gjithë kohës po qëndrojnë në terren për ta mbrojtur shëndetin e qytetarëve.

“Kjo është shumë shqetësuese për të gjithë inspektorët nëpër komuna e veçanërisht ne inspektorët e Shtimes ndihemi të diskriminuar pas vendimeve të sotme të Qeverisë së Kosovës”, ka kritikuar Sherifi.

Qeveria e Kosovës, gjatë ditës në pajtim me Rregulloren e Punës së Qeverisë, ka zhvilluar mbledhje korresponduese/elektronike, në të cilën ka shqyrtuar dhe miratuar disa vendime nga fushat e përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore. Në mesin e tyre ka marrë vendim edhe për mbështetje financiare për zyrtarët policorë.

“Në vazhdim është shqyrtuar dhe miratuar vendimi për ndarjen e mjeteve shtesë financiare sipas kërkesës së Ministrisë së Punëve të Brendshme/Policia e Kosovës, për kompensimin e angazhimit të shuar në terren të zyrtarëve policorë të ekspozuar drejtpërdrejt ndaj pandemisë COVID-19. Sipas vendimit për zyrtarët aktiv policor do të ndahen mjetet financiare në vlerë prej 1 milion e 598 mijë e 100 euro. Këto mjete shtesë ndahen për 6 mijë e 124 zyrtarë policorë, nga 100 euro në muaj për periudhën Tetor, Nëntor dhe Dhjetor. Realizimi i pagesës së këtyre shtesave do të bëhet me pagën e muajit dhjetor 2020, përmes Sistemit të Pagave”, thuhet mes të tjerash në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.