Suhareka ndan nga 100 euro për të prekurit me COVID-19, nga 200 për familjet që humbën të afërmit

SuharekëPostuar: 14:25 / 24.12.2020

Komuna e Suharekës ka vendosur që të ndajë nga 100 euro në formë subvencioni për të gjithë qytetarët që janë prekur nga COVID-19, ndërsa nga 200 euro për familjet që humbën anëtarë të familjes si pasojë e virusit.

Të gjitha këto mjete do të ndahen bazuar në listat e pacientëve në testimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë, ka njoftuar përmes një postimi në Facebook, kryetari i kësaj komune, Bali Muharremaj, që ka shtuar se qytetarët do të njoftohen me kohë për formën dhe mënyrën e aplikimit.

Teksa e ka quajtur shumë simbolike, Muharremaj ka njoftuar se iniciativa për këtë ndihmë ishte e Grupit Parlamentar të PDK-së në Asamblenë Komunale.

Në Suharekë deri tash janë regjistruar më shumë se 700 të infektuar, ndërsa kanë vdekur 49 persona, bazuar në të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë. Janë rreth 200 raste aktive./Gazetaobjektiv/