Ballkani e Drita vlerësojnë njëri-tjetrin para duelit që vendos për lider

Postuar: 11:55 / 04.03.2020

Të matur janë treguar para ndeshjes që vendos për pozitën e parë në Superligën e Kosovës në futboll, dy trajnerët, ai i Ballkanit, Ismet Munishi dhe i Dritës, Ardian Nuhiu.

Të dy trajnerët kanë vlerësuar lart skuadrat kundërshtare para ndeshjes derbi, që do të zhvillohet të mërkurën (sot) prej orës 13:00 në stadiumin e qytetit në Suharekë, në kuadër  të xhiros së 21-të të elitës së futbollit kosovar, shkruan sot Koha Ditore.

Aktualisht, Ballkani kryeson renditjen e Superligës me 41 pikë të tubuara, një më shumë se përcjellësja e parë, Drita, pas 20 ndeshjeve të zhvilluara. Trajneri i liderit të Superligës, Ballkanit, Ismet Munishi, e ka cilësuar Dritën si një skuadër të fortë edhe kur luan në udhëtim.

Por, mbi të gjitha, Munishi pret që ndarja e drejtësisë të jetë korrekte në këtë derbi. “Është një ndeshje derbi, me një skuadër të fortë si në fushën e vet ashtu edhe jashtë saj.

Shpresojmë të jetë referimi i mirë. Drita ka pasur një ditë më shumë pushim, por ne e kemi skuadrën më të re dhe rigjenerohemi më shpejt. Kështu që jemi të barabartë në këtë aspekt”, ka thënë Munishi për gazetën.

Ballkani në fundjavë zhvilloi derbin ndaj Prishtinës në stadiumin “Fadil Vokrri”, duel që përfundoi pa fitues, 0:0. Suharekasit kanë një seri prej tetë ndeshjeve pa humbje, duke regjistruar pesë fitore dhe tri barazime. Një seri të mirë, e ka edhe Drita. Ekipi gjilanas nuk di për humbje në gjashtë ndeshjet e fundit.

Ka shënuar katër fitore dhe dy barazime. Në katër përballjet e tyre të drejtpërdrejta, Drita ka pasur rezultate më të mira ndaj Ballkanit. Ka regjistruar tri fitore karshi një humbjeje.