Hajnuni ka pohuar se sa i përket përpalljes dhe udhëheqjes me Kuvendin nuk them që është punë e lehtë.
Ndërsa e pyetur se cili është raporti saj me asamblistët, (opozitë) në Lipjan, ajo është shprehur se gjithherë mundohem të ndërtoj raporte të shëndosha njerëzore me të gjithë njerëzit, pa paragjykuar askënd në asnjë aspekt.
Nuk e di cili është vlerësimi i palës tjetër (asamblistëve-opozitës), megjithatë unë konsideroj që kam arrit të krijoj raporte njerëzore kolegiale me të gjithë asamblistët, është shprehuar Hajnuni.
Intervista e plotë, LipjaniNews.com
Hajnuni sa është e vështirë puna para gjithë atyre asamblistëve, ku shumica janë meshkuj?
Fillimisht më lejoni tju falënderoj për hapësirën e krijuar në mediumin tuaj për të zhvilluar këtë intervistë
Të filloj nga pjesa e fundit e pyetjes tuaj. Në përgjithësi asnjëherë nuk e konsideroj sfiduese nëse audience para të cilës gjendem janë shumicë meshkuj apo 100% meshkuj ose e kundërta. Në këtë kontekst asnjëherë nuk e kam konsideruar vështirësi përbërjen gjinore të Kuvendit edhe pse do të doja që kjo përbërje të jetë 50-50%. Ndërsa sa i përket përballjes dhe udhëheqjes me Kuvendin nuk them që është punë e lehtë. Në fakt përbërja e tanishme e Kuvendit me njerëz që dikur kanë pas pozita të larta politike në Institucionin e Komunës si kryetar Komune, nënkryetar, drejtor, kryesues e asamblist të Kuvendit të cilët kanë qenë në Kuvend për dy-tre mandate dhe njerëz të cilët për një kohë të gjatë janë marr me politikë e që rrjedhimisht kanë njohuri për politikat lokale, detyrimisht të bënë të përgatitësh me shumë dhe të jesh e vëmendshme gjatë gjithë kohës sa zgjat mbledhja e Kuvendit në mënyrë që të arrish të dëgjosh të gjitha diskutimet dhe propozimet e 30 anëtarëve të Kuvendit. Pastaj nëse e marrim në konsideratë edhe rivalitetin politik në mes të partive politike brenda për brenda kuvendit në njërën anë dhe rivalitetin politik në mesë të Kuvendit legjislativit dhe Ekzekutivit në anën tjetër, natyrisht që të jesh në krye të krejt kësaj skeme ku ndodhin polarizime të ndryshme politike është pak sa sfiduese por jo e pa menaxhueshme. Ajo çfarë duhet të kesh në këtë rast është vendosmëria dhe guximi politik.
Cili është momenti që nuk e dëshironi gjatë punës si kryesuese e kuvendit Komunal në Lipjan?
Kur detyrohem që të lexoj Rregulloren e Punës së Kuvendit! Natyrisht edhe pse kjo është detyrë e imja si Kryesuese e Kuvendit, megjithatë konsideroj që ka kaluar mjaft shumë kohe sa që kjo çështje ka qenë dashtë të tejkalohet tash më. Të gjithë ne jemi anëtarë të Kuvendit, përfaqësues të qytetarëve dhe në këtë formë të gjithë ne jemi të ngarkuar me punë dhe detyra publike prej të cilave rrjedhin pastaj edhe përgjegjësit. Ne duhet të jemi në nivelin e detyrave dhe përgjegjësive në mënyrë që gjatë punës tonë si kuvendar jo vetëm të nxjerrim akte ligjore të ndryshme por edhe ti respektojmë dhe zbatojmë ato në praktikë. Edhe rregullorja e punës së Kuvendit është një akt i votuar nga Kuvendi dhe si e tillë deri sa është e plotfuqishme duhet të respektohet.
Cili është raporti juaj me asamblistët, (opozitë) në Lipjan?
Gjithherë mundohem të ndërtoj raporte të shëndosha njerëzore me të gjithë njerëzit, pa paragjykuar askënd në asnjë aspekt. Nuk e di cili është vlerësimi i palës tjetër (asamblistëve-opozitës), megjithatë unë konsideroj që kam arrit të krijoj raporte njerëzore kolegiale me të gjithë asamblistët. Diversiteti politik duhet të konsiderohet si proces normal dhe i domosdoshëm në mënyrë që të ndodhin procese të cilat qojnë në zhvillim të demokracisë, mendimit ndryshe dhe diversitetit kulturor. Diskutimi im brenda mbledhjeve të kuvendit me anëtarët e tjerë të Kuvendit nganjëherë mund të duket pak sa i ashpër megjithatë unë çdo herë kam kujdes në fjalor dhe këtë e kërkoj gjithherë edhe nga anëtarët e tjerë të Kuvendit dhe ekzekutivi. Në këtë formë mund të ruajmë raportet kolegiale, pavarësisht qëndrimeve dhe bindjeve politike që nganjëherë janë skajshmërisht të kundërta dhe që për mua janë krejtësisht të natyrshme dhe në kuadër të karakterit njerëzor.
Si i menaxhoni situatat jo të zakonshme?
Fillimisht mendoj që njerëzit janë ata që krijojnë situata jo të zakonshme nganjëherë të paqëllimshme por ndodh të jenë edhe të qëllimshme. Zakonisht nuk jam tip i njeriut i cili gjendet shpesh në situata të jashtëzakonshme ose të vështira, megjithatë vet jeta është sfiduese e sidomos kur je në krye të një institucioni publik që ka predispozita të krijimit të situatave të tilla. Në situata të tilla zakonisht mundohem të jem e qetë, të dëgjojë dhe vlerësoj në mënyrë që ta kuptoj thelbin e problemit sepse deri tek një gjendje jo e zakonshme vije si rezultat i një moskuptimi, keq informimi apo keqinterpretimi të çështjes së caktuar për të cilën jo rrallë herë ndodhë të jetë shkaktar fjalori jo adekuat politik. Në një gjendje të tillë shpesh herë ndodhë që në mënyrë verbale të i jap të drejtë edhe të padrejtës jo për ta fuqizuar atë por për ta vë nën kontroll situatën në mënyrë që të menaxhohet më lehtë sepse konsideroj që në raste të tilla njerëzit e humbasin arsyen dhe nuk udhëhiqen nga logjika.
Ku e shihni veten pas 5 vitesh? 10vitesh?
Në Kosovë, në Lipjan si një qytetare e përkushtuar edhe më tutje të ndihmoj në zhvillimin e vendit dhe Komunës sime.
Çfarë mund të ofroni ju si kryesuese, që dikush tjetër nuk mund ta bëjë?
Puna, përkushtimi, vullneti dhe guximi për tu marr me çështje te ndryshme definitivisht determinojnë suksesin e njeriut. Të gjithë njerëzit të cilët kanë veti të tilla ne karakterin e tyre mund tia dalin me cilën do punë ose pozitë të cilën ata e udhëheqin. Në LDK ka mjaft te tillë jo vetëm në struktura udhëheqëse por edhe në elektorat.
Cilat janë disa nga eksperiencat tuaja në lidership?
Eksperiencat në përgjithësi në jetë krijohen me punë në një moshë të caktuar e sidomos nëse flasim për eksperiencat në lidership. Kështu që unë mendoj që jam ende në kilometrat e para të kësaj rruge.
Tregoni për një arritje tuajën për të cilën ju jeni shumë krenar?
Familja dhe fëmijë e mi janë të arritura për të cilat unë çdo herë ndjehem shumë krenare. Ndërsa të arriturat tjera në profesion dhe karrierë pavarësisht rëndësisë dhe ndikimit të madh të tyre në jetë, në përgjithësi mund të jenë relative në krahasim me familjen.
Tregoni një rast kur keni gabuar?
Unë besoj shumë në ZOT dhe besoj që vetëm Ai është i pa gabuar. Natyra njerëzore është e krijuar në atë formë që asnjë njëri nuk mund të konsiderohet si i pagabuar edhe pse ndoshta shumë njerëz mendoj që kanë të drejtë edhe kur gabojnë. Është jashtëzakonisht shumë e rëndësishme që njerëzit të bëhen të vetëdijshëm që kanë gabuar dhe ta pranojnë gabimin në mënyrë që mos ta përsërisin pastaj, sepse përsëritja e tij nënkupton qëllim dhe mund të jetë gabim i cili jo vetëm që mund të lëndoj njerëz por mund të stopoj ose devijoj procese të cilat ndikojnë në zhvillimin e shoqërisë në përgjithësi. Në këtë kontekst unë mundohem të mos gaboj, përndryshe gabimet të cilat rrjedhin nga puna e përditshme janë gabime më se normale dhe njerëzore.
Cila është puna që ju ëndërroni?
Puna të cilën ëndërroj!? Tani më unë kem një profesion të cilin nuk mund të them që ka qenë ëndërr e imja por megjithatë tani punoj dhe nuk ëndërroj një profesion ose një punë tjetër. Ëndrrat për punën, për profesionin, për dashurinë dhe për familjen janë ëndrra që zhvillohen në moshën e adoleshencës dhe gjatë periudhës së studimeve, kryesisht po them sepse ndoshta ka njerëz që ëndërrojnë deri sa të vdesin!
Megjithatë dëshiroj tju them diçka që ndoshta për herë të para po e them në publik. Shumica e fëmijëve kanë ëndërr profesionet varësisht nga mesi ku rriten. E familjarizuar me punën e një ushtaraku-polici (babit) dikur kam ëndërruar të studioj Akademinë Ushtarake në mënyrë që pastaj ta kem edhe punë. Koha e pasluftës ka krijuar hapësirë dhe mundësi të për tu inkuadruar në Policinë e Kosovës, megjithatë nuk e kam bërë
Më thoni se si e keni përballuar një situatë të vështirë?
(përgjigjja e pyetjes 4)
Cilat janë qëllimet tuaja për karrierën?
Për me qenë realiste shpesh herë e mendoj zhvillimin e karrierës time mes politikës dhe profesionit tim. Në 2010 unë kam marr titullin master e shkencave të Kimisë në Universitetin e Prishtinës dhe për me e arrit këtë nivel të shkollimit është deshtë punë, vullnet dhe përkushtim i madh. Po në 2010 kam marr mandatin e parë si Asamblistë në Kuvendin e Lipjanit përmes listës zgjedhore të LDK-së. Dhe tani mund ta vëreni që në politikë kam ec pak përpara, megjithëse kjo nuk do thotë që në të ardhmen do i përkushtohem vetëm politikës. Synimi im primar është që të vazhdoj zhvillimin e karrierës në profesionin tim derisa në të njëjtën kohë të vazhdoj të kontribuoj aq sa mundem dhe aq sa është në kapacitetin dhe kompetencën time ne zhvillimin e politikave të mirëfillta lokale.
A do të punonit më shumë se 40 orë në javë?
Në fakt unë tani më ka kohë që e tejkaloj orarin që ju e potencuat. Pa dashtë të nënvlerësoj gjininë tjetër, të qenurit grua, nënë, të ushtrosh profesionin tënd dhe në të njëjtën kohe të merresh me politikë dhe të udhëheqësh një nga Institucionet Publike, rrjedhimisht do të thotë të punosh më shumë se 40 orë në javë. Në këtë rast, më që janë më pak, më lehtë mund ti numërosh orët e pushimit se sa ato të punës
Pse vendosët që kontributin tuaj ta jepni në LDK?
LDK në Lipjan, përveç programit të saj qeverisë, është parti e cila ka ditë të krijojë hapësira për kuadrat e reja, e sidomos për gjininë femërore duke bërë që ato të ndjehen vetvetja nëpër forumet e saja. Kjo për mua ka qenë dhe vazhdon të jetë jashtëzakonisht shumë e rëndësishme sepse mentaliteti politikë në Kosovë pavarësisht ndryshimeve të vogla aty këtu, ende vazhdon të jetë një lloj mentaliteti përjashtues ose neglizhues ndaj gjinisë femërore në veçanti por edhe ndaj kundrave të reja në përgjithësi
A do të fiton LDK-ja edhe një mandat për qeverisje në Lipjan?
Nuk do e paragjykoj verdiktin e qytetarit sepse pavarësisht parashikimeve tona ata janë që vendosin kush duhet të qeverisë me paranë e tyre dhe kush duhet të zhvilloj politikat e Komunës që detyrimisht do të ndikojnë në jetën e tyre. Si do që të jetë mendoj që LDK për këto vite mandat është treguar për karakterin e saj të fortë në kuptim të realizimit të politikave të mirëfillta që kanë për qëllim përmirësimin e jetës së qytetarit lipjanas dhe menaxhimin e parasë publike dhe pronës publike në mënyrën më të mirë të mundshme. Nuk do kthehem dhe të flas për të kaluarën megjithatë në kuptim të krahasimit të pushteteve unë besoj që qytetarët tash më e kanë të qartë ndryshimin pozitiv që ka ndodhe në këto vite mandat kur LDK-ja udhëheqë me pushtetin. Nuk them që gjithçka ka qene korrekte dhe pa asnjë gabim, megjithatë duhet të kemi parasysh që kjo strukture udhëheqëse ka bërë që Lipjani në këto vite mandat, të jetë në pozitat e para në nivel Kosove sa i përket menaxhimit financiar, shërbimeve publike dhe demokracisë lokale. Kjo strukturë qeverisëse ka ndikuar që në Lipjan të ketë investime infrastrukturore jo vetëm nga niveli qendrorë-ministritë përkatëse por edhe nga organizata të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare e që rrjedhimisht ndikojnë në përmirësimin e kushteve të jetesës së qytetarëve. Kështu që unë nuk do paragjykoj por jam thellësisht e bindur që lipjanasit tani më nuk do lejojnë të vije në krye të Komunës një pushtet i cili do te lejoj të bie standardi që tash më është vendosur nga ky pushet i udhëhequr nga LDK.
Çfarë ju motivon?
Ndonjëherë njeriu pas orarit të punës ndjehet i lodhur aq shumë sa mendon që është i konsumuar dhe nuk do ketë energji të vazhdoj më tutje. Megjithatë koha me familje, edhe me kushtin që menjëherë pas orarit të punës së rregullt të duhet më hy në kuzhinë për të gatuar, është një lloj çlodhje e cila të mbush me energji dhe të motivon që të vazhdosh tutje. Prandaj thjesht motivin kryesor për të vazhduar më tutje dhe për të mos u dorëzuar asnjëherë e gjejë në familje
Si e kaloni kohen e lirë?
Lexoj dhe në të shumtën e rasteve, këto shatë vitet e fundit, librat të cilët i lexoj janë libra me përralla ose tregime për femi.
Çfarë ju zgjon në mëngjes?
Përqafimet e Erës dhe zëri i lart i filmave vizatimor të Leartit. Kjo ndodhë për cdo ditë sepse ata të dy zgjohen shumë herët.
Sa keni kohë për familjen?
Pavarësisht angazhimeve të shumta në punët e përditshme dhe gamës së gjerë të punëve, mundohem që te programoj kohën të cilën detyrimisht duhet ti përkushtohem familjes. Asnjëherë nuk e anashkaloj atë sepse thjesht është ajo që të çlodh nga ngarkesa e tepërt e përditshmërisë dhe të jep energji për të nesërmen./Lipjaninews.com/
Intervistë me kryesusen e Kuvendit Komunal të Lipjanit, Vlora Limani - Hajnuni
Kryesuesja e Kuvendit Komunal në Lipjan, Vlora Limani- Hajuni është përgjigjur në pyetjet e redaksisë në lidhje me punën e saj dhe jetën e saj private.