Lipjani ndër komunat më të mira për menaxhim efikas [Video]

Organizata zvicerane DEMOS, ka shpallur Komunën e Lipjanit një ndër komunat më të mira për menaxhim efikas. Kjo komunë ka arritur të shtojë buxhetin e të hyrave vetanake për 2 milionë e 108 mijë euro.

Shkëlzen Hajdini, drejtor për Buxhet dhe Financa në Komunën e Lipjanit, bëri të ditur për InfoKomunën se buxheti për vitin 2017 është 14 milionë e 25 mijë euro.


Ai gjithashtu tha se ky buxhet i takon zhvillimit ekonomik, arsimit, infrastrukturës dhe të rinjve.


“Buxheti i Komunës së Lipjanit është një buxhet me një qasje të re. Kemi aplikuar një qasje moderne të bërit buxhet. Ky është një buxhet i arsimit, buxhet i rinisë, një buxhet i zhvillimit ekonomik dhe infrastrukturës, i cili ka si për qëllim përmbushjen e nevojave të qytetarëve në kuptimin e përmirësimit të kushteve të jetesës”, tha Hajdini.


Ai thotë se me të hyrat buxhetore për këtë vit qëndrojnë shumë mirë, duke tejkaluar parashikimet e inkasimit të të hyrave  vetanake. Kjo sipas tij, është bërë duke u bazuar në rritjen e kontrollit të brendshëm financiar me aplikim të metodave dhe standardeve të reja ndërkombëtare të menaxhimit financiar.


“...Tani në vitin 2016 është rritur ende, është tejkaluar viti 2015 dhe kemi tejkalim, kemi rritje të buxhetit, inkasim për 80 përqind të hyrave vetanake se sa viti 2015”, thotë Hajdini.


Ai ka folur edhe për planifikimin e Buxhetit për vitin 2017-2019, i cili sipas tij, mundëson zhvillim ekonomik për Komunën e Lipjanit, ngase 2.6 milionë euro janë për investime në infrastrukturën publike, e cila është parakusht për zhvillimin ekonomik.


Ndërsa, për ndërtimin e zonës ekonomike në Komunën e Lipjanit, Hajdini ka theksuar se kjo zonë përfshin një hapësirë prej 56 hektarësh dhe janë duke u investuar 281 mijë euro në ndërtimin e infrastrukturës të kësaj zone.


Drejtori Hajdini ka folur për pagat dhe mëditjet, për hapat që kanë ndërmarr për të rritur llogaridhënien dhe transparencën e shpenzimeve buxhetore, e çështje tjera.

Intervista e plotë


Komuna e Lipjanit është shpërblyer nga DEMOS për menaxhim efikas, cilat kanë qenë veprimet e marra nga ju për të arritur këtë sukses?


Hajdini: Veprimet e marra nga Komuna e Lipjanit për t’i arrit këto suksese dhe për me marrë çmimin nga DEMOS si top komuna kanë qenë disa, kryesisht të bazuara në menaxhimin financiar, menaxhimin e hapësirave publike dhe në menaxhimin e punëve dhe aktiviteteve brenda zyrës së kryetarit.

Në kuadër të menaxhimit financiar aktivitetet e marra që të dalim si një komunë e suksesshme kanë qenë ushtrimi dhe rritja e kontrollit të brendshëm financiar, publikimi dhe të gjitha dokumentet që kanë të bëjnë me shpenzimin e parasë publike. Publikimi i të gjitha dokumenteve, dhe jo vetëm për paranë publike, por i të gjitha dokumenteve të komunës në ueb- faqen e komunës.

Ndërtimi i urave me qytetarët, bërja e qasjes së qytetarit në të gjitha dokumentet e harxhimit të parasë publike, mirëmbajtja dhe investimi në hapësira publike me qëllim të një krijimi të një ambienti më të mirë për qytetarin e Lipjanit.

Si ka shkuar procesi i planifikimit të buxhetit 2017?


Hajdini: Ne jemi shumë të kënaqur me planifikimin e Buxhetit për vitin 2017, siç po e vëreni edhe ju është një proces i gjatë, i cili fillon me 15 prill dhe përfundon me 30 shtator. Ne kemi aplikuar me një qasje të re, me një qasje të bërit buxhet duke përfshi të gjithë akterët në planifikimin e buxhetit. Planifikimin e buxhetit që e kemi bërë ne quhet “Planifikimi i buxhetit me pjesëmarrje”.

Planifikimi i Buxhetit nga Komuna e Lipjanit është bërë së bashku me të gjithë qytetarët, së bashku më të gjitha grupet e interesit, janë përfshi, nuk është vetëm këtë vit por ne këtë vit e kemi avancuar. Të njëjtën e kemi bërë edhe gjatë vitit 2014/2015, qysh prej se kemi ardhur në qeverisja lokale.

Kemi përfshi qytetarët, kemi përfshi të gjitha fshatrat në planifikimin e buxhetit, kemi përfshi shoqatat e grave, shoqatat e të rinjve të Lipjanit, kemi përfshi personat me përgjegjësi të kufizuar. Jemi të kënaqur me këtë planifikim të buxhetit, ngase së bashku me qytetarët dhe akterët e tjerë që i përmendëm kem arrit të planifikojmë një buxhet i cili do t’i mbulojë nevojat e qytetarëve. 


Sa është buxheti i planifikuar për këtë vit?


Hajdini: Buxheti i planifikuar për vitin 2017 është 14 milionë e 25 mijë euro.


Si e keni ndarë buxhetin, në cilat fusha ka më shumë përparësi?


Hajdini: Buxheti i Komunës së Lipjanit është një buxhet me një qasje të re, kemi aplikuar një qasje moderne të të bërit buxhet, është një buxhet i arsimit, buxhet i rinisë, një buxhet i zhvillimit ekonomik dhe infrastrukturës, i cili ka si për qëllim përmbushjen e nevojave të qytetarëve në kuptimin e përmirësimit të kushteve të jetesës.

E themi se është një buxhet i rinisë, ngase siç përmendëm edhe më herët, kemi përfshi dhe kemi bashkëpunuar ngushtë me të rinjtë e Lipjanit dhe si rezultat ka dalë në këtë planifikim të buxhetit për të cilin po flasim kemi ndarë mbi 1.8 milion euro për projektet të cilat kanë të bëjnë me rininë e Komunës së Lipjanit, si: Stadiumi i madh i qytetit të Lipjanit që kalon vlerën mbi 1 milion euro, ndërtimi i fushave sportive, fushave tjera si për ferma ashtu edhe për meshkuj e kështu me radhë.

Është buxhet i arsimit së është një organizatë e re. Ne si Komunë jemi munduar që të përmirësohet kualiteti dhe kushtet në arsim. Në këtë buxhet kemi mbi 2.8 milionë euro të planifikuara për arsimin, kryesisht këto kushte për arsimin kanë të bëjnë me renovimin e shkollave me përmirësimin e kushteve brenda shkollave, me ndërtimin e shkollave të reja me shëndetin e nxënësit, duke i ndërruar nxemjet qendrore e kështu me radhë.

Dhe thamë që ky buxhet ka për qëllim përmirësimin e jetës së qytetarit, ngase bashkë me qytetarin kemi me i identifikuar të gjitha ato investime kapitale, të cilat ndikojnë drejtpërdrejtë në përmirësimin e jetës së qytetarit dhe kanë nevojë imediate për t’u investuar.


A mundëson ky lloj i buxhetimit zhvillim të qëndrueshëm?


Hajdini: Ky planifikim i buxhetit për vitin 2017-2019 mundëson zhvillim ekonomik për komunën tonë, ngase kryesisht siç thamë edhe më parë 2.6 milionë euro janë të investuara në infrastrukturë publike dhe infrastruktura publike është parakusht për zhvillimin ekonomik.

Siç janë të informuara publiku ne kemi licencuar edhe zonën ekonomike dhe tani në zonën ekonomike janë duke u investuar, në ndërtimin e zonës ekonomike, e cila është një zonë e madhe ekonomike prej 56 hektarësh, janë duke u investuar 282 mijë euro në ndërtimin e infrastrukturës të kësaj zone.


A po dëmtohen investimet kapitale nga kategoria e pagave dhe mëditjeve?


Hajdini: Kategoria e pagave dhe mëditjeve është kategori, e cila shpenzon pjesën më të madhe të buxhetit. Kategoria e pagave dhe buxhetit në komunën e Lipjanit është 8.7 milionë euro. Kjo është një kategori, e cila siç thamë shpenzon një pjesë të madhe të buxhetit.

Megjithatë duke qenë të vetëdijshëm për shpenzimet e mëdha për kategorinë e pagave dhe mëditjeve ne kemi aplikuar një qasje tjetër duke zvogëluar të gjitha shpenzimet në mallra dhe shpenzime.

Në kategorinë e luksit që do të thotë ne kemi planifikuar shpenzime vetëm për ato shpenzime të nevojshme dhe kemi hequr të gjitha ato shpenzime të cilat nuk janë të nevojshme për organizatën buxhetore, dhe kjo ka rezultuar që neve të mos na dëmtojë pikërisht për shkak të kësaj qasje, ngase duke zvogëluar shpenzimet e luksit ne kemi ruajtur trendin e shpenzimeve kapitale.

Nga 2.9 milionë euro sa ka qenë kategoria e investimeve kapitale në 2014 dhe 3.4 milionë sa ka qenë 2015/2016 tani ne kemi kategorinë e investimeve kapitale, buxhet të ndarë për këtë kategori me vlerë prej 3.86 milionë euro.


Çfarë hapash keni ndërmarr për të rritur llogaridhënien dhe transparencën e shpenzimeve buxhetore?


Hajdini: Janë disa masa që i kemi marrë. Kemi marrë dhe kemi nxjerrë strategji dhe plane të veprimit për rritjen e transparencës për Komunën e Lipjanit. Kemi ndërtuar bashkëpunim me shoqërinë civile me organizatat joqeveritare vendore të cilat monitorojnë drejtpërdrejtë proceset e harxhimit të parasë publike. Kemi publikuar të gjitha dokumentet të lidhur me planifikimin dhe shpenzimit të buxhetit në ueb-faqe dhe të gjithë qytetarët kanë qasje në këto dokumente.


Sa janë të hyrat vetanake në buxhet?


Hajdini: Edhe të hyrat vetanake e ruajnë trendin e rritjes. Me planifikimin buxhetor 2017/2019 të hyrat vetanake janë rritur në 2 milionë e 108 mijë euro, afërsisht 2 milionë euro. Ndërsa këtë vit janë 1 milion e 650 mijë euro. Do të thotë që në vitin 2017 do të planifikojmë t’i rrisim të hyrat vetanake për afro gjysmë milionë euro.

Është një punë e mirë, për qytetarin e Komunës së Lipjanit, ngase në vitin 2014 të hyrat vetanake kanë qenë 1.1 milionë euro, ndërsa me planifikimin e vitit 2017 është rritur afërsisht 1 milionë, do të thotë 2 milionë e 108 mijë euro.


Si qëndroni me të hyrat buxhetore në këtë vit?


Hajdini: Me të hyrat buxhetore për këtë vit qëndrojmë shumë mirë. Bazuar në rritjen e kontrolles së brendshme financiare, bazuar në qasjen e re të aplikimit të metodave dhe standardeve të reja ndërkombëtarë të menaxhimit financiar ne kemi arritur të tejkalojmë inkasimet e të hyrave vetanake për vitin 2015.

Publiku dhe i tërë opinioni janë të informuar që komuna e Lipjanit ka qenë ndër komunat më të mira në tërë Republikën e Kosovës, në kuptimin e realizimit të hyrave vetanake në vitin 2014 dhe 2015. Tani në vitin 2016 është rritur ende, është tejkaluar viti 2015 dhe kemi tejkalim, kemi rritje të buxhetit, inkasim për 80 përqind të hyrave vetanake se sa viti 2015.