Muhaxheri: Do ta realizojmë ëndrrën e pejanëve për qendër skijimi [Video]

Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, beson se ëndrra e kahmotshme e pejanëve për ndërtimin e një teleferiku dhe qendre skijimi do të bëhet realitet.

Prona ku do të ndërtohet qendra e skijimit “Borea” të bëhet pronë komunale, ndërsa ndërtimi do të bëhet në partneritet publik-privat. Muhaexheri, në një intervistë për Ekonomia Online, thotë se tashmë është kryer studimi i fizibilitetit dhe master-plani për këtë qendër skijimi. "Jemi në fazën e rregullimit të infrastrukturës ligjore. Jemi në procedurë të ndërrimit të pronës me Ministrinë e Bujqësisë, besoj që brenda ditësh do të marrim përgjigje prej Ministrisë së Bujqësisë për të filluar procedurën për ndërrimin e pronave".

Gazmend Muhaxheri mori drejtimin e Pejës në zgjedhjet lokale, të mbajtura në nëntor 2013. Muhaxheri, i cili fillimisht ishte pjesë e partisë së Vetën Surroit, arriti që si kandidat i LDK-së të mposht Ali Berishën e AAK-së. Deri atëherë, Peja ishte llogaritur si bastion i partisë së Haradinajt.

Në këtë intervistë për Ekonomia Online, ai flet për projektet të cilat i ka realizuar në këta 26 muaj dhe planet dhe premtimet për mandatin në vazhdim.

Në mesin e premtimeve të tij elektorale ishin dhe zhvillimi i turizmit, bujqësisë, arsimit e sportit.

Në bujqësi thotë se po i mban premtimet, duke shpërndarë bletë, serra e lopë.

Muhaxheri thotë se këtë vit, kanë planifikuar, të shpërndajnë edhe rreth 10 mijë fidanë të mollëve. Mirëpo, sipas tij, qytetarët nuk janë shumë të interesuar që të investojnë në këtë lëmi.

Komuna e Pejës, në fund të muajit qershor, do të përfundojë projektin për rregullimin e Çarshisë së Gjatë.

Një tjetër zotim i Muhaxherit është se sivjet, definitivisht, do të ndalohet nxjerrja e zhavorrit nga lumenjtë, pasi që po dëmtohe lumenjtë dhe tokat pjellore përreth. Për këtë kërkon dhe ndihmën e  Ministrisë së Mjedisit dhe të policisë. 

INTERVISTA E PLOTË:

EO: Janë bërë më shumë se dy vjet që e keni drejtimin e Komunës së Pejës. Cilat do t'i veçonit si të arriturat kryesore gjatë kësaj periudhe dhe çka mbetet të kryhet deri në fund të mandatit?

Muhaxheri: Ne, programin qeverisës, e kemi pasur të ndarë në tri shtylla: në zhvillim të bujqësisë, të turizmit dhe arsimit. Përqendrimin kryesor të investimeve e kemi bërë në arsim, për shkak se kemi parë që arsimi ka qenë i lënë pas dore. Kryesisht jemi përqendruar të krijojmë kushte më të mira për nxënësit tanë, nëpër shkolla. I kemi 21 mijë nxënës në 26 shkolla fillore, 8 të mesme, si dhe në disa paralele të ndara të këtyre shkollave. Kemi investuar në nyje sanitare, në rregullimin e nxehjeve qendrore, në rrethimin e shkollave, ndërtim të sallave të edukatës fizike.

Edhe në bujqësi kemi mbajtur premtimet tona, kemi shpërndarë bletë, serra, lopë dhe po vazhdojmë edhe këtë vit të ndihmojmë. Gjithashtu, i kemi bërë kanalet e ujitjes, do të thotë i kemi ndihmuar fermerët tanë, duke ua lehtësuar të merren me ngritjen e sektorit të bujqësisë. Edhe këtë vit do të vazhdojmë të njëjtën punë, ndarjen e buxhetit, shpërndarjen e lopëve qumështore, shpërndarjen e bletëve, pemëve dhe serrave.

EO: Komuna e Pejës njihet për mundësitë e saj që ofron për turizëm, sidomos malor. Janë përmendur, gjithashtu, projekte për ndërtimin e qendrave të skijimit. A ka diçka konkrete në këtë drejtim?

Muhaxheri: Komuna e Pejës, dhe unë si kryetar, këto dy vite jemi munduar ta realizojmë ëndrrën e kahmotshme të qytetarëve të komunës së Pejës për ndërtimin e teleferikut. Kemi kryer studimin e fizibilitetit, kemi kryer master planin për këtë qendër të skijimit. Jemi në fazën e rregullimit të infrastrukturës ligjore. Prona ku do të ndërtohet qendra e skijimit, të cilën e kemi emëruar “Borea” të bëhet pronë komunale. Jemi në procedurë të ndërrimit të pronës me Ministrinë e Bujqësisë, besoj që brenda ditësh do të marrim përgjigje prej Ministrisë së Bujqësisë për të filluar procedurën për ndërrimin e pronave. Kjo mandej kalon në Ministrinë e Financave, në departamentin për vlerësimin e pronave, i cili mandej na mundëson neve që këtë procedurë ta vazhdojmë në Qeveri dhe me vendim të Qeverisë, prona ku do të ndërtohet qendra e skijimit “Borea” të jetë pronë komunale dhe të bëjmë hapin tjetër të fillimit të procedurave për ndërtimin e kësaj qendre, në partneritet publik-privat.


EO: Si premtim parazgjedhor e keni përmendur edhe rregullimin e Çarshisë.
A është realizuar kjo?

Muhaxheri: Në Çarshinë e Gjatë kanë filluar punimet dhe besoj se deri në fund të muajit qershor do të jetë e rregulluar. Është një punë e madhe që jemi duke e realizuar. Këtë muaj nis instalimi i ndriçimit publik në Çarshinë e Gjatë dhe me përmirësimin e kohës do të fillojë edhe shtrimi. Besoj se deri në fillim të qershorit, Çarshia e Gjatë do të jetë e përfunduar, si projekt i bashkëfinancuar me Bashkimin Evropian.

EO: Në komunën e Pejës, është vërejtur si dukuri e keqe nxjerrja e zhavorrit nga lumenjtë dhe prerja ilegale e pyjeve, përfshirë edhe në Bjeshkët e Nemuna.
Megjithëse mund të thuhet se është zvogëluar kjo dukuri, kur pritet të ndalohet tregtia e egër me zall e dru?

Muhaxheri: Unë besoj se duhet të pasur një bashkëveprim më të fuqishëm ndërmjet Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe komunave për ndërprerjen e shfrytëzimit të zhavorrit buzë lumenjve. Gurthyesit duhet të ndërtohen vetëm nëpër vende ku nuk e dëmtojnë rrjedhjen e lumenjve dhe tokën bujqësore. Do të marr iniciativë, dhe do të përpiqem, që me Ministrinë e Planifikimit Hapësinor, këtë vit, të punojmë më tepër për të ndalur shfrytëzimin e zhavorrit buzë lumenjve dhe tokave që janë buzë lumenjve, e që janë toka pjellore.

EO: Keni premtuar që ndërtimi i Shkollës së Mjekësisë do të realizohet në vitin 2015, me participim të Komunës, në bashkëpunim me Projektin për Bashkëpunim Ndërkufitar.
Kur pritet të kryhet?

Muhaxheri: Punët e vrazhda në Shkollën e Mesme të Mjekësisë kanë përfunduar në vitin 2015. Bsoj që deri në fund të viti shkollor, kjo shkollë do të fillojë punën. Këtë vit do të fillojmë punën në shkollën fillore dhe mesme të muzikës, shkollën fillore në fshatin Leshan edhe çerdhen në qendër të qytetit. Këtë vit, kemi investime të mëdha në infrastrukturën shkollore, gjithashtu do fillojmë ndërtimin e dy sallave të edukatës fizike, pranë shkollave fillore.
 
EO: Kemi premtuar gjithashtu ndërtimin e 200 hektarëve pemishte si dhe të përkrahen financiarisht hapja e bizneseve të vogla për pemë dhe perime, sa është realizuar ky premtim.
Sa biznese të këtij lloji janë ndihmuar?

Muhaxheri: Jemi duke e shikuar mundësinë, këtë vit do të shpërndajmë 10 mijë fidanë të mollëve. Por, është fakt se fermerët nuk janë ende të interesuar për të bërë kësi investimesh. Jemi duke zhvilluar biseda me një krahinë në Itali, e cila ka diku 19 mijë hektarë pemishte të mollëve. Po mundohemi t'i bindim njerëzit që duhet të bashkojnë pronat dhe të jenë më të guximshëm me bashkëpunimin ndërmjet fermerëve për t'i rritur parcelat dhe të ndërtojnë pemishte.