Arti feminist sfidon patriarkalizmin

Regjisorja Zana Hoxha-Krasniqi shfaqjet teatrore nuk i konsideron thjesht projekte artistike që shpalosen në teatër. Duke marrë për bazë temat, mëton që artin ta shpjerë gjithandej ku rrëfimi mund të lërë gjurmë në mentalitetin shoqëror, shkruan sot Koha Ditore.

“Arti feminist sfidon patriarkalizmin”, ka thënë regjisorja Hoxha-Krasniqi, të premten, në prezantimin e saj me temë “Arti feminist dhe ndikimi i tij në parandalimin e dhunës në baza gjinore” që është organizuar nga Qendra Informative e Kulturore e Bashkimit Evropian në Prishtinë. Krasniqi ka thënë se ky është prezantimi i parë në Kosovë sa i përket punës që bën. Duke thënë se arti është një mjet i fuqishëm për ndryshime sociale, Hoxha-Krasniqi ka shtuar se ai po ashtu është një formë e komunikimit dhe gjithëpërfshirjes.

“Për mua arti dhe teatri kurrë nuk ka qenë për audiencën që vjen në teatër. Arti duhet të dëgjohet aty ku njerëzit e duan dhe ku kanë nevojë”, ka thënë drejtoresha e organizatës “Artpolis” dhe organizatore e festivalit “Fem Art”. Sipas saj, në vend që të krijohen vepra që kënaqin syrin dhe pritjet e patriarkalizmit, arti feminist pretendon të sfidojë pikërisht këto mentalitete për ta arritur barazinë gjinore. Ka thënë se vitin e kaluar në kryeqytetin serb, Beograd, një kritik i atjeshëm i ishte drejtuar duke i thënë “arti i tyre është “art i grave”./ Kohanet