Gjithçka gati për “Ditët e Kulturës Ferizaj 2019”

Në Ferizaj do të fillojnë “Ditët e Kulturës” një eveniment i kulturës, i cili për disa ditë para ferizajasve do të ofrojë shumë aktivitete kulturore.

Sipas drejtoreshës për Kulturë, Rini dhe Sport, Xhemile Murati-Shabani, hapja solemne e “Ditëve të Kulturës” do të bëhet me hapjen ekspozitës kolektive të Shoqatës së Artisteve Figurativ “Zef Kolombi” për të vazhduar tutje me shfaqjen “Koprraci” me regji të Eli Nurës.

“Artdashësit dhe dashamirësit e kulturës kanë një rast të mirë të njihen me rrjedhat e krijimtarisë kulturore dhe t’i shijojnë ato vlera që po krijohen në këtë mjedis. Nesër do të vazhdohet me garat e recituesve, këto gara janë aktivitete në bashkëpunim edhe me shkollat fillore dhe të mesme të organizuara nga Klubi Letrar 'De Rada' dhe Teatri 'Adriana'. Gjithashtu do ta kemi edhe Festivalin 'Fëmijët e Gëzuar', që do të jetë pak më ndryshe nga viti i kaluar, duke pasur parasysh që këtë vit do t’i kemi dy interpretime përpos interpretimit play back, do të ketë edhe interpretime direkt...”, tha drejtoresha.

Ajo ka thënë se me datën 8 qershor do të shënohet edhe Dita e shkollës së mesme të muzikës “Çesk Zadeja”, ku ata do të organizojnë një koncert festiv, ku do të bëhet edhe prezantimi i albumit “Exodus” nga Isak Maloku, nën përcjelljen e Rock Ginis.

U tha se është organizuar edhe një aktivitet tjetër letrar kushtuar dëshmorit të kombit Astrit Bytyqi e titulluar “Ora e Astrit” aktivitet ky organizuar nga Klubi Letrar “De Rada”, i cili njëherësh është edhe konkurs letrar që mbahet në kuadër të Ditëve të Kulturës.

E veçanta e “Ditëve të Kulturës”, sipas drejtoreshës Murati-Shabani, është Festivali “Ferforest”, festival ky ndërkombëtar muzikor i kampingut.

“Në ndërkohë do ta kemi një solo koncert me 10 qershor që do të mbahet në Teatër, ku do të interpretojnë artistët ferizajas të cilët jetojnë dhe veprojnë jashtë vendit. Ndërsa me 11 qershor është paraparë që në shkollat fillore dhe të mesme, të kemi orën e historisë, që organizohet nga Drejtoria e Arsimit për të vazhduar tutje me një ekspozitë me eksponante nga Zyra për trashëgimi kulturore që do të mbahet në sheshin 'Hyre Emini'”, është shprehur drejtoresha e Kulturës, Rinisë dhe Sportit Xhemile Murati-Shabani.

Ndërsa sa i përket 20-vjetorit të Çlirimit të Ferizajt, këtë ditë ta fillojnë me homazhe tek varrezat e dëshmorëve, pastaj me një akademi solemne, ndërsa në orën 20:00 në palestrën e sporteve “Bill Klinton” është përparë që të mbahet një koncert festiv me ç’rast do të marrin pjesë artistë nga të gjitha trevat shqiptare. /InfoKomuna/