KPF-ja i jep vizën dhënies në shfrytëzim të Kinemasë dhe “Tabhanes”

Në mbledhjen e Komitetit për Politikë dhe Financa të Komunës së Gjakovës, janë shqyrtuar disa pika më rëndësi për ecuritë e zhvillimit shoqërorë, ekonomik e kulturor në komunë.

Fillimisht u diskutua dhe u shqyrtua shpallja e interesit të përgjithshëm të ngastrave me nr.6,7,8,16,17,18,20,21,22,23, 88/5,88/6,87/2 dhe 92 Z.K Zidi i Sadik Agës si dhe një pjesë e ngastrës 5532 Z.K, Gjakovë, jashtë qytetit , i cili nevojitet për vazhdimin e procedurave të shpronësimit dhe vlerësimit të pronave , në të cilat është paraparë të kalojë tubacioni i ujërave të zeza deri tek impianti i ri.

Me dhënën e sqarimeve dhe të bërit një analizë nga ana e drejtorit të Katedrës dhe Gjeodezisë, Skënder Tullumi, si dhe drejtoreshës së Drejtorisë së Urbanizmit, Elida Bejtullahu, anëtarët e KPF unanimisht u pajtuan që kjo pikë e rendit të ditës të shqyrtohet në mbledhjen e radhës të Asamblesë Komunale.

Në vazhdën e punimeve të mbledhjes së KPF , anëtarët e saj kanë votuar edhe për shpalljen e interesit të përgjithshëm për ngastrën nr.4611-1,4611-2 dhe 4614 Z.K. Gjakovë jashtë qytetit, i cili nevojitët për vazhdimin e procedurave të shpronësimit dhe vlerësimit të pronave ku është paraparë të ndërtohet Ngrohtorja e Re e Qyteti.

Me pjesëmarrjen edhe të kryetares së Komunës Mioza Kusari – Lila, në këtë mbledhje janë paraqitur edhe dy çështje me rendësi dhe interes shoqëror e komunal.

Fjala është për pjesën përdhese të objektit të Tabhanes, i cili do të jepet në shfrytëzim me destinimin e një lokali hotelier familjar, si objekt element përcjellës i Muzeut të Muzikës, që së shpejti do të funksionalizohet në pjesën e sipërme të objektit të Tabhanes.

Gjithashtu është vendosur që të kalojë në Asamble edhe dhënia në shfrytëzim afatgjatë e kinemasë, atriumit dhe ish – diskotekës në ambientet e Pallatit të Kulturës, pjesë kjo që gjithashtu deri me tani është shfrytëzuar si kafiteri.

Në të dyja këto pika, kryetarja Kusari – Lila e ka dhënë arsyetimin që të dy ambientet do të ndikojnë pozitivisht në ngritjen e nivelit kulturor në komunën e Gjakovës dhe krijimin e dy vendeve ideale për qytetarët dhe adhuruesit e aktiviteteve kulturore, siç janë kinematografia, muzika e të tjera.

Në fund u diskutua edhe çështja e disa objekteve dhe pronave që gjenden në afërsi të shkollës fillore “Fehmi Agani”. Me këtë rast u vendos që të njëjtat të shpallen interes i përgjithshëm shoqëror dhe pronarëve t'iu kompensohet prona, njëjtë sikur që u bë fjalë dhe për dy objekte në oborrin e shkollës fillore “Zekeria Rexha”./InfoKomuna/