Është nderim i lartë vendimi i jurisë për të më dhënë çmimin e parë, pikërisht me titullin Ibrahim Rugova, njeriu i cili për mua bart vlera të shumëfishta në aspektin e letrarit, shkrimtarit, politikanit dhe burrështetasit, ka thënë fituesja e këtij konkursi, Migena Arllati.
Konkursi për poezinë më të mirë mbarëkombëtare i është kushtuar punës dhe veprimtarisë së ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.
Nikoqiri i kësaj ngjarjeje letrare, kryetari i Istogut, Haki Rugova, falënderoi të gjithë pjesëmarrësit në konkursin letrar.Me kënaqësi e kam përkrahur këtë ide të klubit letrar Podguri. Në të ardhmen ky aktivitet do të jetë tradicional, sepse ka ardhur koha që ju si artistë të përkraheni më shumë për vlerat që i sillni shoqërisë, ka thënë Rugova.
Në mesin e pjesëmarrësve ishte edhe deputetja e Parlamentit të Shqipërisë, Albana Vokshi, e cila tha se ndihej e privilegjuar që ndodhej në këtë aktivitet në Istog.
Është nder për mua të jem këtu në aktivitetin letrar që i kushtohet një personaliteti të shquar të kombit shqiptar dhe jo vetëm të Kosovës, siç ishte dr. Ibrahim Rugova, tha deputetja shqiptare.
Për Sadik Bicajn, kryetar i klubit letrar Podguri, ky projekt ka një rëndësi të veçantë për klubin e poetëve të Istogut, duke pasur parasysh se ky aktivitet poetik i kushtohet figurës që kontribuoi në formimin e shtetit të Kosovës.