SHKA “Dëshmorët e Kombit” nga Kastrioti fitues i festivalit “Kaçaniku 2016”

Për nder të ditës së çlirmit, nën përkujdesjen e Kryetari të Komunës së Kaçanikut Besim Ilazi, është mbajtur nata finale e festivalit të Shoqërive dhe Ansambleve Kulturore Artistike “ Kaçaniku 2016”.

Kryetari i Komunës së Kacanikut, Besim Ilazi, uroi të gjithë qytetarët për festën e çlirimit të Kaçanikut, ndërsa shtoi se Kaçaniku nëpër histori njihet si një qytet që ka pasur gjithmonë djem e vasha që kontribuan në mënyra të ndryshme në mbrojte të atdheut.

"Tashmë jemi të lirë të punojmë e veprojmë, ndërsa shtoi se asnjëherë nuk duhet harruar ata të cilët me gjakun e tyre shkruan historinë më të re të Kosovës të sotlisur me lirinë e shumëpritur", tha ai.

Ndërkohë në emër të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të pranishmit i përshëndeti përfaqësuesi Fahri Demnika.

Më pas shoqëritë pjesëmarrëse në natën finale të festivalit “ Kaçaniku 2016” shfaqën një program të pasur kulturor e artistik.

Juria profesionale në përbërje të Profesor Sami Piraj, profesoresha e muzikës Njomza Mezini dhe profesor Sylejman Haxhiu vendosi edhe për fituesit e sivjetëm të festivalit.

Vendin e parë e mori Shoqëria Kulturore Artistike “Dëshmorët e Kombit” nga Kastrioti, vendin e dytë Shoqëria Kulturore Artistike "Bajram Curri" nga Krusha e Madhe , ndërsa vendin e tretë e mori Shoqëria Kulturore Artistike “Mirdita” Rrëshen- Shqipëri. /InfoKomuna/