Në një kohë të teknologjisë si kjo e ditëve të sodit, nuk po ndodhë shpesh të luhen lojëra popullore e që në të kaluarën ato janë krijuar në mënyrë argëtimi. Tashmë të gjithë i ka përfshirë teknologjia, madje fëmijët harrojnë të dalin në lagje e të luajnë me shokë e shoqe.
Por, Muzeu i Kosovës në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Monumenteve dhe Lokaliteteve, me temë Trashëgimia e Sportit, organizoi aktivitetin edukativ mbi kujtesën e lojërave të vjetra popullore, të cilat i quajtën "Lojërat e Gjyshërve tanë".
Me këtë aktivitet ata ju kujtuan prindërve se me lojëra të tilla do të mund ti largojnë sadopak fëmijët e tyre nga telefonat. Lojërat popullore kanë qenë periudha kohore për të cilat të gjithë tregojnë me kënaqësi emocionale. Lapidariumi i Muzeut të Kosovës qysh në mëngjes u mbush me fëmijë e gjyshër.
Të gjithë të buzëqeshur dhe madje mezi prisnin që loja të fillonte. Në këtë ditë të veçantë në Muzeun e Kosovës, fëmijët u argëtuan pafund duke praktikuar së bashku me gjyshërit e tyre lojëra të ndryshme nga e kaluara e që sot rrallë po ndodhë të luhen.
Në kuadër të këtij aktiviteti ishte hapur edhe një ekspozitë ku ishin prezantuar piktura nga momentet e lojërave të gjyshërve tanë dhe shumë objekte me të cilat ata kanë luajtur ishin paraqitur në këtë ekspozitë që fëmijët ti shohin dhe të kenë një pamje vizuale të tyre.
Por, jo vetëm kaq, ato lojëra filluan ti praktikojnë në oborrin e Lapidariumit të Muzeut të Kosovës fëmijët bashkë me gjyshërit e tyre, e këta të fundit ju ilustronin dhe i mësonin se si luheshin këto lojëra. Fëmijët dukej se po kënaqeshin pamasë madje kërkonin që loja të përsëritej disa herë.
Loja me shtaga ose pit-pitak, loja kliqka, loja bëz-bëz, loja fshehurazi, loja me guralec e loja, me tërheqje, ishin vetëm disa nga lojërat që sot u luajtën nga fëmijët e bashkë me ta edhe gjyshërit të cilët u kthyen në kohë dhe madje u emocionuan shumë nga këto momente./KultPlus/