Këto lloj ekspozitash, janë të shpeshta dhe tradicionale në Malishevë, mirëpo ekspozita e sotme, ishte e veçantë, pasi u hap për nderë të vizitës së ambasadorit norvegjez në Kosovë, shkëlqesisë së tij, Jan Braathu, i cili ka financuar rregullimin e ndriçimit të galerisë së ekspozitave në Shtëpinë e Kulturës Tahir Sinani në Malishevë.
Fillimisht, ambasadorin Braathu, e ka pritur kryetari i Malishevës, Ragip Begaj, kryesuesi i KK të Malishevës, Aziz Thaçi, drejtoresha për kulturë, rini dhe sport, Blerta Krasniqi dhe drejtor tjerë komunal, ku kanë biseduar për bashkëpunimin me ambasadën norvegjeze dhe përkrahjen që kjo ambasadë, po i jep Malishevës, në vazhdimësi, përfshi edhe investimin fundit.
Malisheva, përjetësisht i është mirënjohës shtetit norvegjez, pasi ka ndërtuar Qendrën e Kompetencës në Malishevë, e cila është jo thjesht një objekt, por një vepër e madhe në ngritjen e arsimit në Komunën e Malishevës, tha kryetari Begaj, në hapjen e ekspozitës, ndërsa i përgëzoi edhe artistët vendas.
Ndihem mirë që jam këtu në Malishevë dhe këto investime janë shenjë që shteti ynë ka ndihmuar dhe kontribuar për shtetit mik të Kosovës, tha në fillim ambasadori Braathu. Kultura dhe arti, nuk janë vetëm për kryeqytetet, por të gjithë njerëzit, për të gjithë artdashësit, në çdo vend dhe arti duhet të shpërndahet në të gjitha qytetet, tha Braathu.
Edhe drejtoresha për kulturë, rini dhe sport, Blerta Krasniqi, e ka falënderuar ambasadorin për donacionin, për rregullimin e ndriçimit në galerinë e ekspozitave në Malishevë.
Ekspozitën e sotme, e ka përkrahur Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, ndërsa pjesëmarrës, ishin artist nga të gjitha trojet shqiptare.
Jan Braathu, më pas ka vizituar edhe Qendrën Rinore në Malishevë, ku është njoftuar me kabinetet e kësaj qendre, si dhe me aktivitet që zhvillon Qendra Rinore./InfoKomuna/
Ekspozitë për nderë të vizitës së ambasadorit norvegjez
Sot në Malishevë është hapur një ekspozitë kolektive e piktorëve dhe skulptorëve, nga të gjitha trojet shqiptare.