Bahtiri mbështet talentet e rinj të Mitrovicës

Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, në kabinetin e tij ka pritur talentet nga fusha e artit figurativ, Sabrije Igrishta dhe Florent Sahiti të cilët kanë qëndruar për një jave në qytetin e Stambollit, ku i kanë prezantuar punimet e tyre artistike.

Florent Sahiti, Sabrije Igrishta dhe Erjon Zeqiri të cilët kishin dalë fitues në nivel komunal, në garën e cila i kushtohet krijuesve të rinj artistike nga Mitrovica, falë punës dhe talentit të tyre kanë arritur që punimet e tyre t’i paraqesin edhe në qytetin e Stambollit.

Ata gjatë takimit me kryetarin Bahtiri folën për përshtypjen e tyre gjatë qëndrimit një javore në Turqi dhe tematikës së punimeve të tyre, që kryesisht kanë të bëjnë më natyrën, jetën, diturinë tek të rinjtë.

Sabrije Igrishta, nxënëse nga shkolla fillore “Shaban Idrizi” nga Mitrovica, dhe Florent Sahiti nga shkolla fillore “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, kanë arritur t’i impresionojnë të gjithë me veprat e tyre artistike.

Bahtiri ka përgëzuar dy talentet e rijnë të artit, duke i mbështetur fuqishëm për të vazhduar me suksese të mëtutjeshme, prandaj, siç tha ajo, komuna jonë do të angazhohet edhe në të ardhmen që të investojë në arsimimin dhe edukimin e gjeneratave të reja dhe përgatitjen e talenteve, sepse të rinjtë janë ambasadorët më të mirë të një vendi.

“Komuna e Mitrovicës dhe institucionet e pushtetit lokal janë gjithmonë të gatshme për të mbështetur talentet e rinj, jo vetëm nga fusha e artit po edhe nga fushat tjera dhe në sport, sepse dihet mirëfilli se investimi në fëmijë, do të thotë investim për të ardhmen e vendit”, tha kryetari Bahtiri.