Mitrovica, 1910

E kishin dërguar nga Stambolli në Vilajetin e Kosovës që të raportonte. Redaksia e së përditshmes që botohej në Stamboll, “Tanin”, kishte vendosur në këtë detyrë Ahmet Sherifin, një korrespodent shumë i zoti i kësaj gazete.

Më 27 maj 1910, treni do ta linte atë në stacionin hekurudhor në Ferizaj, për ta filluar kështu raportimin e tij të përditshëm disamujor në një kënd të gazetës, që redaksia e kishte titulluar “Arnavutluk’ta Tanin” (Tanini në Shqipëri). Në mesin e shumë qendrave të vilajetit, ai do ta vizitonte edhe Mitrovicën, shkruan Shasivar Kabashi në Shtojcën për Kulturë të Kohës Ditore.

Urën e Ibrit që sot ndan shqiptarët dhe serbët në vija etnike, ne do ta kalojmë me karrocën që shoqëronte gazetarin nga kryeqyteti i dikurshëm. Do të futemi thellë nëpër sokakët e mëhallët e serbëve e shqiptarëve për të gjurmuar raportet e tyre; do të shëtisim qendrën e qytetit e do t’i përshkojmë lumenjtë e tij.

Do të futemi nëpër shkolla e institucione, e deri tek zyrat e kajmekamit... Do të flasim për natyrën, arkitekturën, doket e zakonet e këtij qyteti, në syrin e gazetarit stambollas./KohaDitore/