Në Shalë të Bajgorës u mbajt tubimi tradicional "Dita e Mërgimtarëve"

Mërgimtarë nga komuna e Mitrovicës dhe më gjerë, që jetojnë në shtete të ndryshme anembanë Evropës, ishin tubuar në Bajgorë të Shalës për të marrë pjesë në tubimin tradicional “Dita e Mërgimtarëve”.

Ndër qindra pjesëmarrës, ishin të pranishëm edhe kryetari i komunës, Agim Bahtiri, deputeti i Kuvendit të Kosovës, Raif Qela, nënkryetari i komunës, Safet Kamberi, nëna e Heroit Mehë Uka, drejtorë të drejtorive komunale, përfaqësues të institucioneve të ndryshme e të tjerë.

Ishin të pranishëm edhe krijuesit nga komuna e Klinës, të cilët lexuan punimet e tyre poetike, ndërkohë që humoristi Ismet Krasniqi, me performancën e tij i bëri të qeshi mjaft të pranishmit.
Kryetari i komunës, Agim Bahtiri, pasi që ju dëshiroj mirëseardhje mërgimtarëve, tha se qëllimi i organizimit të këtij tubimi është që ata të kalojnë një ditë të bukur në bjeshkët e mrekullueshme të Shalës së Bajgorës dhe të njihen më shumë në mes veti, si dhe të informohen për aktualitetin në komunën e tyre.

Ai me këtë rast vlerësoi lartë kontributin e mërgimtarëve dhen për mbijetesën e popullatës në kushtet e okupimit nga Serbia, pastaj në luftën për çlirimin e vendit dhe së fundi edhe për ndërtimin e shtetit të Kosovës, duke investuar këtu në fusha të ndryshme.
“Ne në komunën e Mitrovicës po bëjmë çmos që të krijojmë kushte sa më të mira për investitorë të jashtë, por para së gjithash për investime të mërgimtarëve tanë. Kemi themeluar Zonën e Lirë Ekonomike, ndërsa që në parkun e bizneseve në Frashër komuna ka ndarë falas troje për më shumë se 20 biznese që kanë ofruar programe ët ndryshme dhe hapje të vendeve të reja të punës”, tha kryetari Bahtiri.

Ai në vazhdim i njoftoi mërgimtarët edhe për fillimin e punës së fabrikës për prodhimin e kërpudhave dhe arritjen e makinerisë për fabrikën e dytë, që është investimi më i madh dhe më i suksesshëm deri tash në komunën e Mitrovicës.

Për kontributin e mërgimtarëve foli edhe Hysen Ibrahimi, kryetar i Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI-Albani”, që prej më shumë se 20 vitesh jetën e vepron në Suedi, i cili në fund mërgimtarëve ua ndau falas botimet e fundit të shoqatës “Thesar Kombëtar” 5 dhe 6./InfoKomuna/