Përfundon në Mitrovicë edicioni i 7-të i festivalit që thërret mbrojtje të natyrës

Për shtatë ditë me radhë, mijëra të rinj e familjarë morën pjesë në aktivitetet e Festivalit Green në Mitrovicë. Për dallim me edicionet e kaluara, organizatorët e festivalit, konstatojnë se ky edicion ka shënuar ngritje në pjesëmarrje, llojllojshmërinë e aktiviteteve si dhe cilësinë organizative.

Festivali Green, tashmë është shndërruar në një aktivitet kulturor tradicional, ndër më të qëndrueshmit në Mitrovicë. Ka për synim ngritjen e ndërgjegjes dhe sensibilizimin e opinionit kosovar për përkujdesje më të madhe ndaj mjedisit si dhe të krijojë një ambient sa më të relaksuar për të gjithë qytetarët e rajonit, thuhet në njoftimin për media të këtij festivali.

Gjatë këtij edicioni janë realizuar aktivitete të shumta kulturore e mjedisore, si: Panairi i Gjelbër dhe Artizanaleve ku më shumë se 25 biznese familjare për katër ditë me radhë ekspozuan produktet dhe shërbimet e tyre.

Janë mbyllur edhe katër sallone diskutimi, në njërën prej së cilave Shefja e Zyres së BE/Përfaqësuesja Speciale e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova citohet të ketë thënë se “mbrojtja e mjedisit dhe zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik shkojnë së bashku dhe se mjedisi tejkalon etnicitetin”.

Apostolova rikujtoi se BE deri më tani ka investuar rreth 40 milionë euro në projekte mjedisore në Kosovë.

“Ne jemi të lumtur që vazhdojmë të ndihmojmë iniciativat e gjelbra në tërë Kosovën”, citohet të ketë thënë ajo.

Ndërsa në ambientet e muzeut të qytetit si dhe tek liqeni akumulues i Mitrovicës, u shfaqën filma artistik e dokumentar në ambient të hapur, duke e përmbyllur natën e mbrëmshme me filmat e shfaqur nga “Anibar on tour”.

Krejt në fund, në qendër të qytetit të Mitrovicës artistë vendorë për dy net me radhë performuan muzikë nga zhanre të ndryshme. Bendet dhe artistët si: Semiautomvtic, NS, Kreshnique & Dj Shotts, Ethnically Plugged, 4x4, Blitz The 99’s, Mentor Haziri & Band, Offchestra, Dj Wise, Neritan Selektor, DJ Bekla, Dj Wiggi, Lilac, Doroci, si dhe Florent V.

7Arte është organizatë joqeveritare kulturore që punon drejt zhvillimit të jetës kulturore dhe ngritjes së kapaciteteve të rinisë në rajonin e Mitrovicës dhe më gjerë. 7Arte ka për mision promovimin dhe zhvillimin e një kulture të përbashkët Europiane. 7Arte synon të përdorë programet kulturore si mjet për ngritjen e vetëdijes së shoqërisë drejtë mbrojtjes së mjedisit, duke nxitur qytetarinë aktive dhe vullnetarizmin në mesin e të rinjve.

Ky projekt është zbatuar nga 7Arte dhe LITWOM, ndërsa është mbështetur nga GIZ (Programi Youth, Employment and Skills), Zyra e BE-së në Kosovë, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, Ministria për Kulturë, Rini e Sport, DKRS-Komuna e Mitrovicës, GAIA e Viprint.