Rikthehet në Mitrovicë monumenti artistik “Barazi, Punë, Dije”

Në praninë e shumë qytetarëve, artistëve vendorë e ndërkombëtarë, në Mitrovicë u inaugurua monumenti artistik “Barazi, punë, dije”.

Kryetari i komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza, në fjalën përshëndetëse të tij e falënderoi artistin mitrovicas me renome ndërkombëtare për punën dhe bashkëpunimin e shkëlqyeshëm, bashkë me Autostradën Bienale ku edhe u prodhua kjo vepër artistike e cila i mungonte hapësirës publike të qytetit të Mitrovicës.

Kryetari Hamza, pasi i falënderoi Albanin dhe artistët lokal për punën e bashkëpunimin, e që i quajti ambasadorët më të mirë të vendit, ai premtoi më shumë përkrahje për kulturën, pasi që siç tha ai kultura është shtylla kyçe e zhvillimit.

Tutje, Alban Muja, shprehu mirënjohjen për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm me komunën e Mitrovicës dhe Autostradën Bienale, që e kanë përfshirë Mitrovicën në agjendën e tyre.

Ai po ashtu falënderoi edhe kuratoret ndërkombëtarë të cilat edhe ishin prezente bashkë me dhjetëra artistë tjerë të huaj.

Udhëheqësi i Autostradës Leutrim Fishekqiu, u shpreh tejet i lumtur që bashkëpunimi me Alban Muja dhe Komunën e Mitrovicës, u kurorëzua me kthimin e kësaj vepre artistike në shtëpi të vetë, dhe u përmbyll programi i jashtëzakonshëm i Autostradës Bienale 4, pikërisht në Mitrovicë dhe pikërisht në këtë kohë.

Kjo vepër artistike u realizua nga artisti Alban Muja, në rikujtim të monumentit artistik që ishte pjesë e memorisë kolektive mitrovicase, si dhe u prodhua nga Autostrada Bienale në përkrahje nga Komuna e Mitrovicës.

Përndryshe, ky ishte edhe premtim publik i kryetarit Hamza, të cilin tashmë e realizoi.