Shpallen fituesit e konkursit për kopshtin më të mirë në Mitrovicë për vitin 2016

SHFMU “Bislim Imer” dhe Reshat Berisha janë fitues të garës për kopshtin më të mirë për vitin 2016

 Janë shpallur fituesit e konkursit për kopshtin më të mirë në Mitrovicë për vitin 2016, konkurs ky që mbahet për të katërtën herë me radhë në qytetin buzë Ibrit. Konkursi është organizua nga OJQ “7 Arte”, në bashkëpunim me Drejtorinë për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Pyjeve në komunën e Mitrovicës.

Konkursi për kopshtin ma të mirë është hapur më 30 Gusht 2016 dhe është mbyll më 15 Shtator 2016. Në këtë konkurs kishin të drejtë të aplikonin kopshtet private si (shtëpi private dhe kopshte të banesave), si dhe kopshtet e institucioneve shkollore (çerdhet, shkollat fillore e të mesme, kolegjet dhe universiteti).

Komisioni për përzgjedhjen e fituesve, i përbërë nga përfaqësues të Drejtorisë për Mbrojtjen e Mjedisit e Pyjeve dhe OJQ “7 Arte”, me në krye Xhelal Shabanin, pas vizitës së të gjitha kopshteve që kanë konkurrua, të bërë më 27.092016, të martën i ka shpallur përfituesit.

Vendi i parë për kopshtin më të mirë privat i është ndarë Reshat Berishës, i dyti Bajram Pecit dhe i treti Kastriot Hetemit. Ndërsa nga institucionet shkollore, vendin e parë e ka zënë SHFMU “Bislim Imer”, nga Kqiqi i Madh, të dytin SHFMU “Avdullah Shabani, Mitrovicë dhe të tretin SFMU “Eqrem Çabej”, Mitrovicë.

Për përfitues janë dhënë edhe shpërblime modeste dhe mirënjohje. Për vendin e parë shpërblimi është 120 euro, për të dytin 90 euro dhe për të tretin 60 euro.

Kryetari i komunës, Agim Bahtiri, i cili mori pjesë në shpalljen e përfituesve dhe ua ndau shpërblimet atyre, tha se ndjehet mirë që merr pjesë shpalljen e përfituesve për kopshtin më të mirë dhe se në të ardhmen do të angazhohet që kjo garë të jetë edhe më e begatshme dhe që shpërblimet të jenë më të mëdha dhe më motivuese për pjesëmarrësit në konkurs.

“Të mbash ambientin e pastër dhe të rregulluar mirë, është për çdo lëvdatë. Është mrekulli që mjediset tona të kenë gjelbërim dhe të jenë lulishte të vërteta. Fatmirësisht, sot jo vetëm në komunën tonë, por edhe në tërë vendin hasim në kopshte, si në ato të institucioneve,ashtu edhe në ato private, që të tërheqin vëmendjen për rregullimin e bukur të tyre.

Komuna do të mbështesë garat e këtilla dhe qytetarët e institucionet që të marrin pjesë në to, edhe më fuqishëm në të ardhmen. Përfituesve i përgëzoi për punën e mirë që kanë bërë dhe për çmimet e fituara”, tha ndër të tjera ai. /InfoKomuna/