“Anibar” me donacione synon rivitalizimin e hartimin e programit të kinemasë “Jusuf Gërvalla”

Kampanja me të cilën synohet të sigurohen mjete për ndërhyrjet e nevojshme në përmirësimin e gjendjes aktuale të kinemasë “Jusuf Gërvalla” në Pejë, veç ndërhyrjeve në objekt, ka për qëllim edhe krijimin e kushteve për hartimin e një programi vjetor.

Kinemaja, e cila tashmë udhëhiqet nga organizata joqeveritare “Anibar”, - njëherësh organizatore e festivalit të vetëm të animacionit në vend, me të njëjtin emër - ka arritur t’i mbledhë 35 për qind të fondeve të nevojshme nëpërmjet kampanjës online për donacione, shkruan Koha Ditore.

Ndërhyrjet e nevojshme që parashihet të bëhen arrijnë shumën prej 25 mijë eurove.

Deri më tani – prej vitit të kaluar kur “Anibar” mori në shfrytëzim kinemanë – aty, përveç festivalit, kanë zënë vend edhe aktivitete të ndryshme. Por për shkak të kushteve në të cilat gjendet objekti i kinemasë i cili është ndërtuar në vitin 1960 dhe është pjesë e Listës së trashëgimisë kulturore për mbrojtje të përkohshme, është e pamundur që ta ketë një program të rregullt.