"Peja Poetike-2017", i bashkon poetët nga trevat shqiptare

Shoqata e shkrimtarëve të Pejës, në bashkëorganizim me Shoqatën e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptar “Papa Klimenti -Albani XI”, nga Suedia do të organizojë nesër Manifestimin letrar, tradicional, mbarëkombëtar - miqësor të shtatin me radhë “Peja poetike -2017”.

Ali Asllanaj nga Këshilli Organizativ tha se ky aktivitet ka qëllim që të tubojë poetët nga të gjitha trevat shqiptare. “Tani zhvillimi i teknologjisë na ka mundësuar shumë që të jemi më afër dhe besoj se do të kalojmë mirë”, tha ai sot në emisionin e mëngjesit “Mirëmëngjesi Kosovë’, në Radio Televizionin e Kosovës (RTK).

“Shoqata e shkrimtarëve të Pejës, synon që të integrojë në këtë shoqatë edhe të rinjtë. Tani ajo ka shumë anëtarë. Në programin e Manifestimit letrar, tradicional, mbarëkombëtar - miqësor të shtatin me radh “Peja poetike -2017”, do të ketë edhe tryeza të cilat do ta begatojnë këtë aktivitet duke përfshirë në të edhe pika muzikore”, tha ai.
Sipas tij në aktivitetin “Peja poetike -2017”, do të marrin pjesë rreth 50 pjesëmarrës.

Kurse anëtari i Shoqatën së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptar “Papa Klimenti -Albani XI”, nga Suedia i cili është edhe organizator, Idriz Gashi tha se me Shoqatë e shkrimtarëve të Pejës, kanë gjetur bashkëpunim të mirë dhe kjo po tregon rezultate. Ai tha se ka pasur bashkëpunim të mirë edhe me institucionet e Kosovës.