Çezma dyshekullore, dhjetë muaj pa ndërhyrje për t’ia kthyer pamjen

Është monument në qendër të Prishtinës. Numëron krejt pak metra katrorë. Por Çezma dyshekullore ka një histori jo të mirë qëkur u zbulua para më shumë se gjashtë vjetësh. Janë bërë dhjetë muaj prejse një e katërta e xhamit që e mbulon atë ka krisur. Pos që është bërë problematike pamja, paraqet edhe rrezikshmëri për qytetarët që kalojnë afër Teatrit Kombëtar të Kosovës, në bulevardin kryesor të kryeqytetit.

Prej asaj kohe Ministria e Kulturës ka mbetur në pritje të Agjencisë turke për Zhvillim e Rindërtim TIKA, e cila, sipas Ministrisë, ka marrë prapë përsipër që ta zëvendësojë këtë pjesë të xhamit. TIKA të mërkurën nuk u është përgjigjur pyetjeve të gazetës, siç ka ngjarë edhe dy herë të tjera, kur gazeta i ka adresuar pyetje. Por tashmë Ministria e Kulturës ka vendosur që të mos e presë Agjencinë për ta bërë ndërhyrjen.

Vjollca Aliu, drejtoreshë e Departamentit të Trashëgimisë Kulturore në MKRS, ka thënë se TIKA ishte deklaruar vetë se do të marrë përsipër intervenimin, shkruan Koha Ditore.

“Ne kemi pritur dhe u kemi dërguar disa shkresa. Tashmë jemi duke menduar që vetë institucionet e trashëgimisë kulturore të intervenojnë për ta rregulluar xhamin”, ka thënë Aliu. Sipas saj, më nuk do të presin donacionet e TIKA-s për këtë rast. Në pritje të një vendimi për këtë aset të trashëgimisë kulturore është edhe Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Prishtinë.

Edona Gashi-Durguti, drejtoreshë e QRKT-së së Prishtinës, ka thënë se nuk e di se kur do të rregullohet xhami. Ajo ka thënë se nuk mund të flasë sa i përket mundësisë së dëmtimit të monumentit a rrezikut që paraqet për qytetarët xhami i thyer.