Biblioteka “Sulejman Krasniqi” pasurohet me 97 tituj të rinj

Biblioteka komunale “Sulejman Krasniqi” në Rahovec është pasuruar edhe me 97 tituj të rinj, respektivisht me 198 ekzemplarë. Librat janë donacion i MKRS-së, me një vlerë prej 1500 €.

Përzgjedhja e titujve është bërë nga zyrtarë të DRKS-së, përkatësisht punëtorët e bibliotekës, mbi bazën e kërkesave të lexuesve. Titujt e përzgjedhur janë kryesisht romane dhe vepra të shkrimtarëve bashkëkohorë shqiptarë dhe të huaj, me tema dhe përmbajtje interesante.

Prandaj, lexuesit e shumtë të bibliotekës komunale “Sulejman Krasniqi” kanë mundësi që t’i shfletojnë këto libra, qoftë në ambientet e bibliotekës, qoftë edhe t’i marrin me vete.

Drejtori i DKRS-së Gardalin Shtavica, tha se edhe në të ardhmen do të ndahen mjete për pasurimin e bibliotekës me literaturë të re, që kryesisht bëhet në bazë të interesimit të lexuesve. Aktualisht biblioteka posedon një fond librar prej 10487 ekzemplarësh ose 2918 tituj.

Gjithashtu biblioteka ofron kushte solide për lexim, prandaj i ftojmë studentët, nxënësit dhe të interesuarit e tjerë që t’i shfrytëzojnë këto mundësi, shtoi drejtori Shtavica.