Ringjallja e Bibliotekës Françeskane, botohet "Libri Antikuar për Shqipninë"

Biblioteka Françeskane “At Gjergj Fishta” vazhdon misionin e saj nën gjurmët e bibliotekës së dikurshme.Çdo ditë zgjerohet me prurje të reja, si dhe me pasurimin e saj me libra antikë dhe me dorëshkrime të pabotuara. Gjatë një vizite në Bibliotekën Françeskane në Shkodër, Pater Viktor Demaj na e pohon këtë gjë, shkruan Shekulli.

Dëshira e Pater Viktorit është të tregohet i kujdesshëm për ruajtjen e këtyre botimeve, me shpresën që kjo traditë të trashëgohet dhe te brezat e ardhshëm. At Viktor Demaj në bashkëpunim me bibliotekaren Siva Kodheli kanë realizuar botimin e ‘Librit Antikuar për Shqipninë’ (205 fq. Botime Françeskane, Shkodër 2016). Libri është shkruar në gegërisht. Në pjesën e parë përmban historikun: “Ringjallja e nji biblioteke”, “Historiku 1875-‘46”, “Biblioteka prej viteve 1946-2003”, deri më sot. Ndërsa në kreun e dytë autorët ndalen tek arkivi i vitit 1946, rithemelimi i arkivit prej fretërve, që jetuan në mërgim dhe arkivi sot. Vëmendje e veçantë i është kushtuar dhe kronologjisë historike të françeskanëve në Shqipëri.

-Pater Vitor, fillimisht do donim të dinim diçka rreth historikut të Bibliotekës Françeskane, e cila u rindërtua sërish në vitin 2003?

Biblioteka e Pater Gjergj Fishtës ka qenë ndër më të pasurat në atë kohë. Ndoshta më e pasura në Shqipëri. Por gjatë periudhës së komunizmit ndodhi shkatërrimi i bibliotekës dhe transportimi i librave. Disa thonë që një pjesë të librave i kanë marrë për t’i bërë letër në Jugosllavi, disa i kanë plaçkitur etj., por janë shkatërruar shumë libra. P. Zef Pllumi tregonte me dhimbje shkatërrimin e bibliotekës, tretjen, djegien dhe transportimin e librave pa kurrfarë kujdesi. Fatmirësisht kanë shpëtuar disa prej tyre. Biblioteka “Marlin Barleti” ka një pjesë të fondit tonë, po ashtu dhe Biblioteka Kombëtare. Shumë të tjerë kanë përfunduar nëpër shtëpi private, shumë janë djegur. Për shembull, disa libra të Pater Zef Pllumit janë djegur në Lezhë. Disa familjarë që i kishin ruajtur, nga frika se mos i arrestonin, pasi arrestuan dhe Pater Zef Pllumin, u detyruan dhe i dogjën librat e tij. Procesi i djegies ka qenë i vazhdueshëm për 50 vjet. Ka qenë një inat shumë i çuditshëm kundër veprave të shkrimtarëve françeskan, por dhe të atyre që ishin kundër sistemit.

Ndërtesa e mëparshme ishte pothuajse e shkatërruar. Kjo është një bibliotekë e rindërtuar rishtazi në vitin 2003. Fati i mirë i ndërtimit të kësaj biblioteke ishte se në atë kohë ndodheshin jashtë vendit për studime dy fretërit Pater Jak Marlekaj dhe Paulin Margjokaj. Nuk u kthyen më në Shqipëri. Por, në mënyrë personale nisën që të grumbullonin libra që në një të ardhme të ndërtonin dhe një herë bibliotekën në Shkodër. Qëllimi i tyre del qartë gjatë leximit të letërshkëmbimeve, që ata mbanin me njëri-tjetrin. Këtyre dy fretërve iu bashkëngjitet dhe Pater Daniel Gjeçaj, i cili u largua nga Shqipëria në vitin 1948.

-Pra, rindërtimi i saj, nga nisur nga intelektualët që ndodheshin në mërgim?

Ata në mërgim nisën që të bashkëpunonin me persona të tjerë, njerëz të shquar të kulturës shqiptare, si Ernest Koliqi, Martin Camaj etj. Madje, ky i fundit ka pasur një bashkëpunim shumë të madh me ta. Korrespodenca e tyre është më shumë miqësore, sesa akademike. Madje ka dhe gjëra shumë personale, në letërkëmbimet e tyre. Me rënien e komunizmit në Shqipëri bibliotekat e tyre personale u vendosën në Shkodër. U rregullua biblioteka, sikurse është tani, sipas projektit të vitit 1930-‘33 të Pater Gjergj Fishtës. Struktura arkitekturore e bibliotekës dhe e kuvendit françeskan sot është projekt i P. Gjergj Fishtës. Ato u ndërtuan në vitet 1930-‘33. Bashkë me bibliotekën dhe ndërtesën e re të kuvendit, në atë kohë u ndërtua dhe muzeu i Át Shtjefën Gjeçovit. Muzeu pati funksionuar deri me ardhjen e komunizmit.

-Sa tituj ka Biblioteka? Dhe cilët do të veçonit si më të përfaqësuesit?

Si volum librash është relativisht i madh. Janë rreth 12 mijë tituj botimesh të vjetra, relike të çmuara dhe botime të sotme, sidomos të studimeve shqiptare historike, albanologjike. Është një vepër e madhe, kur mendon se gjithçka u ndërtua nga asgjëja. Këto botime diku na i falin libra, por shumë herë i blejmë me kursimet tona si fretër. Përveç sektorit antik të librit dhe atij me botime të sotme, kemi një sektor të veçantë me revistat e famshme, si “Hylli i Dritës”, “Leka” etj., por dhe me revistat, si Studime Filologjike, Studime Historike etj. Botimet e vjetra datojnë që nga viti 1561. Kemi botime antikuare, ndër këto veçojmë përkthimin italisht të Historisë së Skënderbeut nga Marlin Barleti, si dhe botime për gjuhën shqipe, botime të shekujve XVI-XVII-XVII. Vlen të përmendim sektorin e veçantë me botime të Fishtës, i cili është shumë i pasur. Po ashtu dhe botimet origjinale të rilindëseve tanë, vëllezërve Frashëri etj. Në biblioteka kemi dhe riprodhime fotografike shumë të çmuara, për shembull “Meshari” i Gjon Buzukut (1555), fotografuar në bibliotekën e Vatikani prej Pater Jak Marlekaj në vitin 1955 etj.

-Ka edhe botime si riprodhim fotografik?

Gjendet vepra e plotë e Budit, si riprodhim fotografik, përveç kopjes origjinale të vitit 1664. Po ashtu kjo gjë vijon dhe me fotografimin e albanologëve të tjerë, Joklit. Të gjitha veprat që i mungonin bibliotekës janë fotografuar, për shembull Gustav Mayer. Kemi dhe vepra origjinale të këtij albanologu të shquar të gjuhësisë tonë, po ashtu kemi gramatikën e De Radës etj. Veprat që mungonin në bibliotekat personale, i fotografonin në bibliotekën e Vatikanit ose nëpër biblioteka të tjera, duke i lidhur në format libri, të cilat sot janë një vlerë e rrallë e kësaj biblioteke. Pasioni për librin ka bërë që të kemi të plotë koleksionin e gramatikave, falë profesionalizmit që i karakterizonte këta misionarë të kulturës shqiptare. Me to mund të merren për studime profesorët, studentët dhe sidomos u shërbejnë specialistëve të gjuhës.

-Po dorëshkrimet më të rëndësishme që ju kanë dhuruar, cilat janë?

Janë disa, për shembull po e nis nga fondi i dorëshkrimeve të Pater Donat Kurtit. Gjatë kohës para komunizmit, por sidomos gjatë komunizmit krijimtaria e tij ka qenë shumë e frytshme dhe pse ka qenë i persekutuar. Ai jetonte në vuajtje në një kasolle, rrugica afër stacionit të trenit në Shkodër, por vetëm ulej dhe shkruante. Dorëshkrimet e tij që mos t’i kumbisnin i ka shpërndarë në disa familje, si dhe i ka shkruar në disa kopje. Ka qenë një prift në Zadrimë Dom Injac Dema dhe disa familjarë, që i kanë ruajtur. Dhe kur u shemb komunizmi këto dorëshkrime i kanë sjellë të gjitha, duke ia dorëzuar Provincës Françeskane Shqiptare. Janë më shumë se 33 shkrime të Pater Donat Kurtit, të pabotuara. Po ashtu kohët e fundit kemi pasur fatin e mirë, që na është dhuruar fondi muzikor personal i Tonin Zadejes. Kjo është një dhuratë e madhe për Bibliotekën Françeskane, plotësimi i vullnetit të tij. Në bisedat personale pohonte kështu:“Jam rritur dhe formuar në Kuvendin Françeskan dhe shpirtin e muzikës e kam formuar nëpërmjet duarve të Pater Martin Gjokës, dhe ndërmjet mjeshtërisë së Pater Filip Mazrekut”. Gjithmonë kishte një dashuri të madhe për Kuvendin Françeskan, prandaj në fund të jetës dhe më pëlqimin e bashkëshortes së tij, na dhuroi fondin personal. Ka zëra të ndryshëm, si për shembull zoti Gjovalin Baba, sikur nuk ka dhuruar dorëshkrimin origjinal “Dredhit e Patukut” të Pater Gjergj Fishtës, por dhe disa materiale të tjera, që datojnë prej vitit 1889. Po ashtu në fondin e Bibliotekës kemi libra të vjetër, të cilët janë gjetur në Zagreb, me firmë të Pater Shtjefën Gjeçovit. Vërtet, Biblioteka Françeskane ruan histori të shumta. Madje mund të them se sot 90 për qind i afrohet fondit të dikurshëm të Bibliotekës Françeskane.

-Po arkivi i saj?

Arkivi është më i varfër, në krahasim me arkivin e mëparshëm dhe pse ka pasuri të madhe me dorëshkrime të rralla. Përditë vijohet me mbledhjen e materialeve arkivore.

Kemi letërkëmbime të Ernest Koliqit, De Radës, Mjedës, të Françeskanëve, dorëshkrime të autorëve të njohur, si Át Fishta, Át Bernardin Palaj, Át Bendeikt Dema, Át Donat Kurti etj. Në fondin e arkivit gjinden dhe dy poezi në gjermanisht të Çabejit të viteve 40-të, të shekullit të kaluar. Mund të veçojmë dhe dorëshkrime muzikore të autorëve të shquar të traditës muzikore shqiptare, siç janë ato të Át Martin Gjokës etj. Arkivi ka më shumë se 200 dorëshkrime, të cilat fillojnë në një faqe, deri te dorëshkrimet e plota.

-Kur njeriu vë këmbën në këtë bibliotekë të dalin përpara një mori botimesh françeskane? Cili ka qenë roli fretërve botues?

Fretërit, përveçse punës së tyre baritore, mos të harrojmë se në atë kohë kishin më shumë se 38 famulli. Ata u shquan, si shkrimtarë, poetë, etnologë, prozatorë, arkeologë, gjuhëtarë etj. Krijuan një shkollë të mirëfilltë studimesh. Punimet e tyre shkencore janë vërtet të shumta. Kanë qenë një mori botimesh, si revista “Hylli i dritës”, studime gjuhësore të Pater Justin Rrotës, “Këngët e kreshnikëve” të Pater Bernardin Palaj e të Pater Donat Kurtit, “Përralla kombëtare”, “Kanuni” i Shtjefen Gjeçovit etj. Krijimtaria e Pater Gjergj Fishtës, e P. Martin Sirdanit, proza me karakter psikologjik dhe filozofik e P. Anton Harapit etj. Shumë prej këtyre botimeve origjinale janë rikuperuar. Janë vepra të rralla, që kudo i gjejmë mundohemi që t’i rikuperojmë për t’i pasur në bibliotekë.

-Po sot, si veprohet me botimet françeskane?

Përsa u përket botimeve të reja, që nga viti 2005 me iniciativën e Pater Zef Pllumit, kemi hapur një kolanë të re të bibliotekës françeskane. Kolana ka të njëjtin stil me botimin e shkrimtarëve të traditës. Botimet i nxjerrim sipas atyre origjinale, kemi botime anastatike, të cilat u shërbejnë studiuesve për studime, por edhe opinionit publik. Sot për arsye komerciale botimeve të shkrimtarëve të traditës po u ndryshojnë gjuhën origjinale, siç kemi rastin e veprës së Fishtës, e cila ka rënë pre e këtyre botimeve, por jo vetëm korpusi i Fishtës. Janë të shumtë shkrimtarët e traditës që botohen të gjymtë dhe të cunguar. Ne sot kemi botuar e ribotuar mëse 70 libra. Këto botime janë të natyrave të ndryshme, sidomos botime të traditës françeskane. Botimet tona janë kryesisht albanologjike, por kemi botuar dhe veprat e shkrimtarëve të sotëm, siç ka qenë botimi i tre vëllimeve të Pater Zef Pllumit, “Rrno vetëm për me tregue”, i cili përveç botimit italisht, anglisht e frëngjisht është botuar dhe në gjuhën kroate. Kemi botuar “Çinarët” e P. Konrad Gjolaj. Botimet françeskane vijonë rrugëtimin e tyre në mbrojtjen dhe përparimin e kulturës shqiptare. Ndonjëherë ritmi është i ngadaltë për arsye fondesh, por megjithatë ne një pjesë të fondit tonë ja kushtojmë kulturës, për botime apo promovime, duke e lenë veten mangët.

Sivjet ne kremtojmë 100-vjetorin e shtypshkronjës françeskane, e cila vijon dhe sot misionin e saj me shtëpinë botues “Botime Françeskane”. Me rastin e kësaj ngjarjeje të shënuar për Provincën Françeskane dhe për kulturën shqiptare, do të organizojmë një simpozium në vjeshtë të këtij viti. Dhe ky simpozium shkencor do të nxjerr në pah veprën kulturore të françeskaneve.

-Botimi i librit antikuar kujt i shërben veçanërisht?

Së pari, këtë botim të ri e kemi bërë në bashkëpunim me Siva Kodhelin, bibliotekare pranë kësaj biblioteke. Bibliografia që sapo është botuar përmban historikun e Bibliotekës Françeskane në disa faza, deri sot. Historiku i kësaj biblioteke është vërtet tragjik. Sidomos rindërtimi i bibliotekës në mërgim e kemi paraqitur nëpërmjet letërkëmbimit të fretërve P. Jak Marlekaj, P. Daniel Gjeçaj dhe P. Paulin Margjokaj. Krahas Historikut, Libri Antikuar për Shqipninë në Bibliotekën Françeskane sjellë për publikun shqiptar përshkrimin e plotë të njësive bibliografike të librit antik, që fillon në me vepra origjinale të vitit 1561, ndërsa me riprodhime fotografike qysh prej vitit 1504, deri në vitin 1912. Botimi i këtij libri mendojmë se është një shërbim i mirë, që u bëjmë studiuesve dhe kulturës shqiptare. Po ashtu sikurse përmendëm dhe më lartë, kemi bërë një sintezë të arkivit françeskan, deri te skedimi i dorëshkrimeve origjinale të P. Zef Pllumit, ndër prurjet e fundit në arkiv. Natyrisht për mua si bashkautor ky botim është fryt i punës sime 12-vjeçare në bibliotekën françeskane. Vëllimi i dytë do të fillojë nga viti 1912 deri në vitit 1945, të cilin besojmë se në një të ardhme të afërt do të shikojë dritën e botimit. Mendojmë se ky botim do të shërbejë dhe si inventar i vlerave tona kulturore.

-Dhe së fundmi, pak më lartë folët për librat, durimin dhe pasionin. Por, te ju si ju ka lindur ky pasion për t’u marrë me librin?

Unë prej 12 vjetësh po merrem me këtë gjë. Ende nuk i kisha përfunduar studimet Filozofike dhe Teologjike kur kam nisur me katalogimin dhe sistemimin e librave. Tash përveç meje kemi dhe bibliotekaren, e cila merret me katalogimin e pasurisë së kësaj biblioteke. Dëshira e madhe që të punoja brenda bibliotekës erdhi dalëngadalë nga kontakti me libra të rrallë dhe të çmuar, sidomos me veprat origjinale të P. Gjergj Fishtës, autor që e njihja shumë. Por, pasionin e mirëfilltë jo vetëm për bibliotekën, por për shkrimtarët françeskan në fillim ma zgjuan dorëshkrimet e Pater Donat Kurtit. Para se fretërit të ma besonin bibliotekën pata fatin të studioj përkthimet e Testamendit të Ri të P. Donat Kurtit. P. Donat Kurti, deri në muajt e fundit të jetës së tij u morë me përkthimin e Testamentit të Ri. Ai ka vdekur në vitin 1983. Edhe pse në nën sistemin komunist, ai përkthente Shkrimin e Shenjtë me shpresë se një ditë përkthimi i tij do të lexohej pa frikë prej njerëzve. Një përkthim që shprehte pasuri të madhe shpirtërore dhe një vetëdije se njeriu nuk vdes kurrë, shpresa e mbanë gjallë atë dhe në momentet më të vështira.

-A keni një bibliotekë personale?

Të gjithë fretërit krijojnë biblioteka personale për arsye studimi, dhe pse në çdo kuvend françeskan ka biblioteka të përbashkëta. Qysh kur kam filluar të merrem me bibliotekën françeskane, kam ndryshuar paksa në këtë drejtim. Ka raste që libra, të cilët i blej, që mi dhurojnë, apo që i kam lypur i kam sjellë këtu, sepse është traditë që fretërit të mos kenë biblioteka personale. Këtë nuk e kam bërë vetëm unë, por dhe fretër të tjerët. Kam pasur fatin të fus në bibliotekë disa vëllime të librit antik dhe botime të vitit 1913-‘44. Pasioni për librin, për bibliotekën vjen gradualisht nga kontakti me dorëshkrimet e vepra origjinale, derisa nuk shkëputesh dot prej tyre. Mendoj se ky pasion i bën këta autorë që të rilindin dhe njëherë. Për këtë arsye biblioteka më duket si një vend ku nuk ekzistojnë kufijtë kohor, vendi ku mund të krijosh vizionin e së ardhmes.