Komuna e Shtimes rinovon jashtëligjshëm monumentin

Institucioni që ka marrë nën mbrojtje “Shtëpinë e përshpëritshme” në Shtime është bërë shkas që të ndërhyhet jashtëligjshëm në këtë monument.

Objekti dykatësh i ndërtuar më 1923 ka marrë pamje tjetër. E kjo është bërë me paratë e Ministrisë së Kulturës, shkruan Koha Ditore.
Ky institucion që vetë e ka marrë nën mbrojtje këtë ndërtesë, ka financuar rinovimin e saj, ku edhe janë bërë ndërhyrje pa kurrfarë lejeje nga institucionet e trashëgimisë kulturore, gjë që bie ndesh me Ligjin për trashëgimi kulturore.

Përderisa zyrtarët e Ministrisë së Kulturës mundohen të shfajësohen se nuk kanë udhëhequr procedurat e prokurimit, ata të Komunës së Shtimes thonë se do t’i bëhet një zgjidhje kësaj çështjeje.

Në shtator të këtij viti Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve ka marrë vendim për ndërprerjen e punimeve, por një gjë e tillë deri të mërkurën nuk ka ndodhur.

Shtëpia është izoluar me stiropor prej tetë centimetrash, dhe ka marrë ngjyrë të bardhë. I është ndërruar kulmi e po ashtu punime janë zhvilluar edhe në brendësi. MKRS-ja vitin e kaluar e ka futur në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme.